Më 20 nëntor 1945, nisën Gjykimet e Nurembergut, një proces historik i drejtuar nga fuqitë fitimtare ndaj udhëheqësve nazistë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas 11 muajsh gjyqi, rezultuan 12 dënime me vdekje, 7 dënime me burgim dhe 3 lirime nga akuzat. Procesi shënoi një pikë kthese në të drejtën ndërkombëtare, duke vendosur përgjegjësinë individuale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Dënimet me vdekje
Hermann Göring
Hermann Göring, udhëheqësi më i njohur për nga gradimi dhe fama e keqe, e transformoi Luftwaffe-n në një instrument shkatërrimi dhe ishte një nga arkitektët e “Zgjidhjes Përfundimtare” me konferencën famëkeqe të Wannsee-s (1942). Në Nuremberg ai e paraqiti veten si trashëgimtar politik i Hitlerit dhe u përpoq të poshtëronte prokurorët, duke përdorur sallën e gjyqit si skenë.
Ai u dënuar me vdekje, por shmangu ekzekutimin duke kryer vetëvrasje me një kapsulë cianuri natën para se të varej. Figura e tij mbetet simbol kompleks i gjyqeve dhe moralit të epokës.
Joachim von Ribbentrop
Si Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Ribbentrop nënshkroi Paktin Molotov-Ribbentrop me Bashkimin Sovjetik (1939) dhe shërbeu si ambasador i palodhur i politikës agresive të luftës. Në Nuremberg ai përpiqej të minimizonte rolin e tij, duke pretenduar se “ndjekur vetëm urdhra”, por dokumentet e gjykatës e kapën fort. Ai u var më 16 tetor 1946 dhe fjalët e tij të fundit ishin: “Zoti e ruajt Gjermaninë”.
Wilhelm Keitel
Si kreu i Komandës së Lartë të Wehrmacht-it, Keitel nënshkroi urdhra që legalizonin ekzekutimet e të burgosurve, civilëve dhe partizanëve. Në gjyq ai u paraqit si ushtar besnik, por Tribunali e çmontoi vetëmbrojtjen e tij pikë për pikë. Gjatë varjes, u tha se u soll me dinjitet. Figura e tij përfaqëson dilemën e bindjes së verbër ndaj pushtetit.
Alfred Rosenberg
Rosenberg, i quajtur “filozofi” i nazizmit, ishte autori i tekstit “Miti i shekullit të njëzetë” dhe Ministër i Territoreve të Pushtuara Lindore. Ai kontribuoi në shtypjen e popullsive në Ukrainë dhe Bjellorusi dhe në justifikimin teorik të antisemitizmit. I ftohtë dhe i distancuar, nuk tregoi pendim. Ideologjia e tij mbetet simbol i përdorimit të kulturës dhe teorisë si justifikim për dhunë.
Julius Streicher
Streicher, redaktor i gazetës antisemite Der Stürmer, nuk mbajti poste zyrtare në qeveri, por propaganda e tij kontribuoi në krijimin e klimës së urrejtjes që çoi në Holokaust. Në Nuremberg ai u mbajt moralisht përgjegjës dhe nuk tregoi pendim para se të varej.
Ernst Kaltenbrunner
Kreu i SS dhe i Shërbimit të Sigurisë së Rajhut pas Heydrich, Kaltenbrunner mbikëqyri funksionimin e kampeve të përqendrimit dhe nënshkroi deportime masive. Ai ishte i përfshirë drejtpërdrejt në dekretin e 7 dhjetorit 1941, të njohur si “Nata dhe Mjegulla”, që shkaktoi zhdukje masive në Evropë. Ai shpalli pafajësinë deri në fund.
Të tjerët e dënuar
-Hans Frank – Guvernatori i Polonisë
-Wilhelm Frick – Ministër i Brendshëm
-Alfred Jodl – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm
-Fritz Sauckel – Përgjegjës për shpërndarjen e punës
-Arthur Seyss-Inquart – Përfaqësues i Holandës
-Martin Bormann – Sekretar i Partisë (gjykuar në mungesë)
Të gjithë u dënuan me ekzekutim.
Burimi: focus.it/ Nga Richard Michelucci/ Përgatiti për botim: L.Veizi
