Last Updated on 23/11/2025 by EL
Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka nisur procesin e zgjedhjeve për presidentët rajonalë dhe për Presidentin e Përgjithshëm për mandatin 2025–2030, pas përfundimit të çështjeve gjyqësore. Gjykata e Apelit i njohu z. Nikollë Deda kompetencën ligjore për të organizuar zgjedhjet.
Zgjedhjet për Këshillin Rajonal Tiranë janë caktuar të mbahen më 24 nëntor, ndërsa rajonet e tjera do të njoftohen në vijim sipas kalendarit zyrtar.
Për shkak të vendimeve gjyqësore të ndryshme dhe ndryshimit të përgjegjësive, kompetencat për drejtimin e zgjedhjeve janë ndarë, duke krijuar një situatë të ndërlikuar institucionalisht dhe konfuzion mes kandidatëve dhe komunitetit stomatologjik.
Almiro Gurakuqi, President i Këshillit Kombëtar të USSH, ka paralajmëruar ndjekje penale për çdo dentist që merr pjesë në këto zgjedhje.

Pas kërcënimeve të bëra nga Almiro Gurakuqi, ka reaguar për Fjala.al, Dr. Bashkim Murati, kandidat për drejtimin e Urdhrit të Stomatologut – Rajoni Tiranë.
Sipas Dr. Muratit, këto deklarata përbëjnë një akt “denigrues, fyes dhe të papranueshëm”, i cili cenon jo vetëm mjekët stomatologë, por “çdo njeri normal, qoftë edhe i paarsimuar”. Ai i ka cilësuar këto paralajmërime si një formë presioni që nuk i shkon për shtat asnjë institucioni profesional dhe që përbën “diskriminim total ndaj komunitetit të stomatologjisë”.
“Deklaratat e tipit “kush merr pjesë në zgjedhje do të çojmë në ndjekje penale” përbëjnë denigrim dhe jo thjesht kërcënim. Ato përbëjnë shkelje penale dhe kërkojnë marrjen e masave të forta ligjore, pasi janë kërcënime të papranueshme. Fyejnë jo vetëm mjekët stomatologë, por çdo individ. Përbëjnë diskriminim ndaj komunitetit të stomatologjisë. Asnjë drejtues, as edhe një diktator, nuk duhet dhe nuk mund të shprehet në këtë formë”, u shpreh Dr. Murati për Fjala.al.
Procesi zgjedhor dhe vendimet e gjykatës
Urdhri i Stomatologut ka qenë i përfshirë gjatë muajve të fundit në procese gjyqësore të brendshme, të cilat u mbyllën më 12 nëntor 2025. Një javë më parë, Presidenti i Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, Dr. Nikollë Deda, fitoi me formë të prerë në Gjykatën e Apelit të drejtën ligjore për të organizuar zgjedhjet e reja.
Sipas statutit të Urdhrit, organizimi i zgjedhjeve është kompetencë e Presidentit në detyrë, i cili aktualisht gëzon të gjitha të drejtat ligjore.
Konkretisht në bazë të vendimit gjyqësor me Nr.1573 Regj.Them, datë 07.02.2020 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me kërkesë të shtetasit Z.AlmiroGurakuqi është vendosur:
1. Të pranojë kërkesën e palës paditëse, z.Almiro Gurakuqi.
2. Të sigurojë padinë administrative, duke urdhëruar pezullimin e zbatimit të veprimeve administrative, Vendimi me Nr.16, datë 07.11.2019 dhe Vendimi me Nr.18, datë 07.11.2019 të entit publik, Urdhri i Stomatologut i Shqipërisë dhe çdo veprim tjetër të ndërmarrë në zbatim të tyre, mbi zgjedhjet e organeve të urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesë-padisë administrative me vendim të formës së prerë.
Procesi i ri zgjedhor për periudhën 2025–2030 ka nisur me caktimin e datës 24 nëntor për zgjedhjet e Presidentit Rajonal të Tiranës, që do të zhvillohen në orën 10:00. Datat për gjashtë rajonet e tjera pritet të shpallen në vijim, deri në përfundimin e plotë të procesit zgjedhor.
Murati: Thirrje për pjesëmarrje dhe qetësi
Dr. Murati u ka bërë thirrje stomatologëve të mos ndikohen nga kërcënime të tilla, duke theksuar se “askush nuk mund të ndalojë të drejtën ligjore të profesionistëve për të votuar”.
Ai kërkoi që institucionet përkatëse të marrin masa ndaj deklaratave që, sipas tij, “cenojnë procesin demokratik dhe imazhin e komunitetit stomatologjik”./E.T
