Nëse PD kishte një poster-boy të 11 majit, ai quhej Tedi Kopliku. Shfaqej në çdo ekran me të njëjtin entuziazëm sikur i kishin premtuar se politika shqiptare do të rifillonte nga zero dhe se ai do të ishte versioni “update” i politikanit demokrat, pa të bërtitura, pa nerva, plot dije dhe dritë. Shkodranët e besuan me masivitet këtë paketim modern, edhe pse në fund kushdo që di matematikë zgjedhore e kuptoi se “investimi” nuk kishte shans të kthehej në mandat.
Kur doli lista famoze e takimit të demokratëve të “kafenesë”, emri i Tedit u duk si një rreze shprese: më në fund, një i ri që ndoshta do të guxonte të thoshte se PD nuk mund të ringrihet duke mbajtur të njëjtën kupolë të amortizuar. Por jo. Tedi, sapo piu kafenë, vrapoi drejt TV-ve me ritmin e dikujt që po kërkon alibi për të mos u keqkuptuar. Aty nisi betimet solemne se s’ka asgjë kundër “doktorit”, se Berisha s’ka pse të largohet, se gjithçka ishte thjesht një ekspres me sheqer dhe kaq. Pastaj, me një status në Facebook u habit me pyetjen naive: “Si ka mundësi që një kafe bëhet lajm?”
Sigurisht, kjo nuk ishte hera e parë që “kafeja politike” e Tedit i dilte shumë e fortë. Edhe disa muaj më parë ndodhi e njëjta histori: një deklaratë e tij u interpretua si kritikë ndaj Berishës, dhe për pak minuta Tedi nisi marshin ceremonial të sqarimeve, duke bërë disa deklarata radhazi për të garantuar devotshmërinë ndaj liderit historik. Pra, praktikisht deklaronte se do të rrinte në gatishmëri edhe 100 vite, nëse do të duhej, vetëm që të mos keqkuptohej sikur kërkonte ndryshim apo hapje të partisë.
Dhe kështu, brezi i ri politik, në vend që të sillte ajër të freskët, po merr frymë strukur nën sqetullën e të vjetërve, me gjithë vullnetin, përkushtimin dhe pozicionin gatitu që kërkon ky ritual i vjetër partiak. Ironike, por aspak surprizuese: ndryshimi nuk vjen prej moshës, por prej shtyllës kurrizore. Dhe sa duket, ajo vazhdon të jetë artikulli më i munguar në politikën shqiptare.
