Last Updated on 09/12/2025 by Kesjana
Shqipëria mbetet një nga vendet me përqindjen më të ulët të shpenzimeve për kërkim-zhvillim (R&D) në raport me PBB-në, si në nivel të përgjithshëm, ashtu edhe në të gjitha nën-sektorët kryesorë që zakonisht mbështesin inovacionin, të tilla si bizneset, qeveria dhe arsimi i lartë.
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, në vitin 2024, totali i shpenzimeve për R&D në Shqipëri arrin vetëm 0.2% të PBB-së, një nivel tejet modest në krahasim me mesataren e BE-së, që është 2.24%, dhe atë të zonës euro, që shkon në 2.28%. Diferenca është gati 15 herë në favor të BE-së, çka tregon boshllëkun e thellë teknologjik dhe të inovacionit midis Shqipërisë dhe ekonomive europiane.
Sektori i biznesit, i cili zakonisht është motori kryesor i inovacionit në vendet e zhvilluara, pothuajse nuk ekziston në Shqipëri. Investimet e tij arrijnë vetëm 0.02% të PBB-së, krahasuar me 1.49% në BE, ndërsa vende të avancuara si Suedia dhe Belgjika shkojnë respektivisht në 2.61% dhe 2.43%. Edhe vende të tjera të Ballkanit kanë një angazhim shumë më të madh të sektorit privat.
Sektori publik gjithashtu paraqet dobësi të theksuara. Qeveria shqiptare shpenzon vetëm 0.07% të PBB-së për kërkim-zhvillim, shumë më pak se mesatarja europiane prej 0.24%. Edhe vendet e rajonit, si Serbia, Kroacia, Bullgaria apo Rumania, kanë investime dukshëm më të larta. Kjo përforcon idenë se R&D nuk është ende një prioritet strategjik i politikave shtetërore, pavarësisht nevojës për diversifikim ekonomik, rritje të produktivitetit dhe orientim drejt sektorëve me vlerë të shtuar më të lartë.
Edhe arsimi i lartë, një tjetër shtyllë kyçe e inovacionit, rezulton të jetë i nën-financuar. Universitetet dhe institucionet kërkimore shpenzojnë 0.06% të PBB-së, kundrejt 0.48% në BE dhe mbi 0.7% në vende si Suedia, Finlanda apo Austria.
Madje edhe vende me të ardhura të ngjashme ose pak më të larta, si Kroacia (0.36%), Estonia (0.62%), Çekia (0.35%) apo Hungaria (0.48%), investojnë shumë më tepër. Shqipëria ka ende kufizime të mëdha në prodhimin shkencor, kapacitetet kërkimore dhe në tërheqjen e fondeve ndërkombëtare.
Në global, vendet më inovative, janë Koreja e Jugut me 4.01% të PBB-së në kërkim dhe zhvillim, SHBA me 3.44%, Japonia me 3.48% dhe Zvicra me 3.22%.
Diferenca është aq e madhe saqë vendi rrezikon të ngelet i shkëputur nga trendet teknologjike, transformimet digjitale dhe zinxhirët globalë të vlerës dhe, për rrjedhojë, produktiviteti i punës dhe të ardhurat nga puna të mbeten në vendnumëro./ Marrë nga Monitor.al/kb