Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka reaguar ndaj kritikave amerikane të drejtuara ndaj aleancës, duke i adresuar ato drejt Rusisë. Kallas theksoi se Bashkimi Evropian është vetë thelbi i lirisë.
Ajo tha se Bashkimi Evropian përfaqëson thelbin e lirisë dhe se çdo kritikë në lidhje me liritë duhet të synojë një drejtim tjetër Rusinë, ku sipas saj mospajtimi, media e lirë, opozita politike dhe platforma si X janë të ndaluara. Kallas shtoi se BE-ja përbëhet nga 27 vende që kanë zgjedhur vullnetarisht të punojnë së bashku, ndërsa disa të tjera kërkojnë t’i bashkohen, çka sipas saj tregon cilësinë e unionit.
Nga ana tjetër, edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk ka nevojë për amerikanët për të shpëtuar demokracinë.
Merz u shpreh se disa nga komentet amerikane janë të kuptueshme, disa pjesërisht të kuptueshme dhe disa të papranueshme nga një perspektivë evropiane. Ai theksoi se nuk sheh asnjë arsye që amerikanët të pretendojnë se duhet “të shpëtojnë” demokracinë në Evropë, duke shtuar se nëse një gjë e tillë do të kërkohej, evropianët do ta menaxhonin vetë.
Deklaratat e liderëve evropianë vijnë në një moment tensionesh me administratën e presidentit Donald Trump, pasi ky i fundit ka deklaruar se Evropa po ecën në rrugë të gabuar.
Mospajtimet janë thelluar edhe për shkak të bashkëpunimit të ngushtë evropian me Ukrainën për gjetjen e një armëpushimi të drejtë në lidhje me agresionin rus.
Së fundmi, Bashkimi Evropian ka gjobitur edhe rrjetin social X, në pronësi të Elon Musk, çka ka rritur më tej kritikat e Trump ndaj aleancës evropiane./mxh
