Në Shqipëri nuk pyet më “a ka protestë?”, por “kur e ke ti?”. Java nuk matet me ditë, por me orare tubimesh: njëri pasdite, tjetri paradite, i treti fundjavë, i katërti për ta mbyllur ciklin. Një kalendar që s’ka lidhje me hallet e njerëzve, por me radhën e altoparlantit.
Protesta ka humbur kuptimin kolektiv dhe është shndërruar në disiplinë individuale. Secili del në shesh me ekipin e vet, parrullat e veta dhe kamerën e vet, sikur të ishte premierë filmi, jo revoltë. Turma nuk bashkohet, thjesht shpërndahet në mini-grupe që duartrokasin liderin përkatës, si fansa në turne.
Populli, i lodhur, endet mes orareve si spektator i hutuar: “Kë të ndjek sot?” Jo sepse nuk ka arsye për të protestuar, por sepse arsyet janë mbytur nga gara e egove. Çdo protestë flet për gjithçka, përveç asaj që duhet: për bashkim, për presion real, për qëllim të përbashkët.
Kjo skenë nuk është e re. Historia jonë na ka treguar se jemi të copëzuar dhe rrjedhimisht jemi trajtuar si të parëndësishëm. Jo sepse na mungonte e drejta, por sepse na mungonte një zë i vetëm. Dhjetëra përfaqësues, qindra versione, dhe vendimet u morën pa ne.
Sot përsërisim të njëjtin gabim, vetëm se me mikrofonë më modernë dhe transmetim live. Ndërkohë që secili lufton për protagonizëm, pushteti nuk ka asnjë arsye të shqetësohet. Sepse protesta që nuk bashkohet, nuk trondit, ajo thjesht plotëson kalendarin. M.P.
