Këtë të hënë, më 22 dhjetor, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro mbajti fjalën përshëndetëse në finalen e maratonës së Sigurisë Kibernetike, organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ku finalistët ishin kryesisht nxënës dhe studentë.
“Në hapësirën e pakufishme digjitale që është më e pambrojtura, më e brishta, por edhe më e lakmuara nga autorët e rrezikut kibernetik, ata janë fëmijët. Mes lirisë dhe të drejtës për të përdorur teknologjinë dhe kufizimit të saj, në mes qëndron edukimi. Që prej shtatorit, Ministria e Arsimit ka nxjerrë udhëzimin për ndalimin e përdorimit të telefonëve gjatë orarit të mësimit, ndërkohë që kemi futur lëndën e TIK prej disa vitesh në shkollë. Një tjetër program që po ndërtojmë nëpër shkolla është ai i aktiviteteve pas shkollore, të cilat synojnë t’i mbajnë fëmijët më gjatë në shkollë, duke u dhënë mundësinë të merren me aktivitete kreative që nxisin talentet e tyre në Art, Zeje, Sporte, çka na rezulton një përpjekje shumë e mirë për t’i mbajtur edhe disa orë të tjera larg ekraneve. E për të siguruar një mjedis të shëndetshëm, ku fëmijët dhe të rinjtë ta përdorin hapësirën digjitale për të ndërtuar një identitet të fortë, për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe vetëbesim, duhen patjetër investime.
Lënda e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pajisja e 1 mijë 000 shkollave me SmartLab brenda dy viteve, shoqërohet edhe me një paketë të plotë dhe të diversifikuar trajnimesh për edukimin digjital për mësuesit, udhëzues për prindërit, ndërsa po forcojmë qasjen STEM në mësimdhënie. Në buxhetin e arsimit për vitin 2026, parashikohen edhe trajnime për rreth 60% të mësuesve, ku do të ketë trajnime specifike për mësuesit e TIK-ut, përmes një fondi të dedikuar prej 1,6 milionë euro. Kurrikula e re e TIK-ut përmban një tematikë të posaçme të titulluar ‘Siguria e të punuarit në kompjuter’.”, tha ministrja Kumbaro./kb
