Përgatiti: Leonard Veizi
Dhjetori i vitit 1994 nuk solli paqen e festave në brigjet e Mesdheut, por një hije të zezë që kërcënonte të fshinte nga harta simbolin e “Qytetit të Dritave”. Ishte një kohë kur terrorizmi po ndryshonte fytyrë, duke u shndërruar nga një mjet shantazhi politik në një armë të asgjësimit në masë…
…Në pistën e përzhitur të Algjerit, Air France 8969 qëndronte si një monument i palëkundur metali, i gatshëm për t’u shkëputur drejt lirisë së reve. Por brenda barkut të tij të çeliktë, fati kishte thurur një tjetër skenar. Katër hije të armatosura, me syrit e mbushur me një fanatizëm të ftohtë, nuk kërkonin thjesht një udhëtim; ata kërkonin një altar sakrifice. Për ta, avioni nuk ishte një mjet transporti, por një “shigjetë hyjnore” që duhej të ngulej në zemrën e Parisit, duke shndërruar Kullën Eiffel në një gërmadhë hekuri dhe hiri.
Kronika
Rrëmbimi nisi si një kontroll rutinë pasaportash nga persona të veshur me uniforma të policisë algjeriane, por maska ra shpejt. Pjesëtarët e GIA-s (Grupit Islamik të Armatosur) zbuluan qëllimet e tyre brutale.
173 shpirtra u mbyllën në një hapësirë të ngushtë, ku oksigjeni zëvendësohej nga era e barutit dhe frikës.
Për të treguar se nuk kishte rrugë pas, terroristët ekzekutuan me gjakftohtësi tre pasagjerë: një polic algjerian, një diplomat vietnamez dhe një kuzhinier të ri francez. Trupat e tyre u hodhën në pistë si mesazhe makabre për botën që vështronte e tmerruar.
Kërkesa e tyre e prerë ishte: “Lejimin e fluturimit për në Paris”. Megjithatë, inteligjenca franceze kishte zbuluar planin djallëzor: avioni ishte i mbushur me eksplozivë dinamit dhe synohej të shpërthente mbi qytet.
Marseja
Pas negociatave të gjata, avioni u lejua të ulej në Marsejë për “rifurnizim”. Ishte një kurth i ngritur me mjeshtëri. Ndërsa dielli po perëndonte mbi portin e Marsejës, djemtë e GIGN (Groupe d’Intervention de la Gendarmerie Nationale), të veshur në të zeza, po përgatitnin atë që do të konsiderohej si një nga operacionet më brilante në historinë e forcave speciale.
“Ne nuk shkonim për të vrarë, por për të ndalur vdekjen,” do të kujtonin më vonë anëtarët e njësisë elitë.
Sulmi: 17 minuta ferr
Në orën 17:08, heshtja e pistës u shqye nga shpërthimet e shkallëve të lëvizshme që u mbështetën pas avionit.
Komandot sulmuan nga tre pika të ndryshme. Brenda kabinës, nisi një dyluftim që i ngjante një skene ferri. Mbi 1,000 plumba u shkëmbyen në atë hapësirë të vogël.
Piloti dhe ekuipazhi qëndruan në pozicionet e tyre edhe kur plumbat shponin xhamat e kabinës, duke ndihmuar pasagjerët të rrëshqisnin drejt shpëtimit përmes dritareve të emergjencës.
Të katër terroristët u asgjësuan. Mrekullisht, asnjë pasagjer apo pjesëtar i GIGN-it nuk humbi jetën gjatë sulmit final, ndonëse shumë u plagosën rëndë.
Epilogu i një nate pa fund
Fluturimi 8969 nuk ishte thjesht një pengmarrje e dështuar; ai ishte paralajmërimi i parë i madh për botën moderne. Shtatë vjet përpara se bota të shihte kullat e Nju Jorkut të shembeshin, Franca kishte parë profilin e një tragjedie të ngjashme.
Sot, ky episod kujtohet si momenti kur guximi njerëzor triumfoi mbi errësirën e fanatizmit, dhe kur profesionalizmi i ftohtë i forcave speciale shpëtoi jo vetëm një avion, por dinjitetin e një kombi të tërë.
