Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një lidhjeje direkte televizive, dha detaje mbi të dhënat më të fundit nga terreni lidhur me përmbytjet dhe zonat problematike.
Gazetarja Lala e pyeti ministrin për funksionimin e hidrovorit të Porto Romanos, ndërsa ai theksoi se aktualisht nuk është koha për debat politik, por për angazhim pranë qytetarëve dhe dhënien e ndihmës për ta.
Biseda:
Klodiana Lala: Nuk e nisët fjalën tuaj me një mesazh ngushëllimi për të ndjerin.
Pirro Vengu: E kam bërë në mënyrë të përsëritur sot, do të kërkoja mirëkuptimin tuaj.
Klodiana Lala: Prokuroria e Durrësit ka nisur hetim për tre vepra penale. Dyshohet se hidrovori i Porto Romanos nuk ka funksionuar siç duhet dhe ka pasur problematika me pastrimin e kanaleve dhe mbeturinave. Ndiheni ju dhe qeverisja përgjegjës për këtë situatë? Po të kishte funksionuar hidrovori normalisht dhe të ishin larguar mbeturinat, a do të ishte situata ndryshe?
Pirro Vengu: E nderuara zonjë, debati politik në këto momente nuk ndihmon, sidomos në përballimin e situatës së përmbytjeve. Strukturat janë në terren dhe po punojnë. Çdo aktor që dëshiron të kontribuojë është i mirëpritur…
Klodiana Lala: Ju e keni detyrim të angazhoheni.
Pirro Vengu: Politika pret, sot jemi me njerëzit dhe pranë tyre. Kërkoj mirëkuptimin tuaj të rikthehem në terren.
Klodiana Lala: Kjo është shmangie, zoti ministër.
Pirro Vengu: Nuk u jam shmangur përgjegjësive të mia.
Klodiana Lala: Ka një hetim që flet me fakte se hidrovori nuk ka funksionuar dhe ka shkaktuar pasoja.
Pirro Vengu: Sakrificën e forcave të armatosura duhet ta mbështesni.
Ferdinand Dervishi: Ai foli me kompetencë dhe tha se nuk ka ndodhur gjë në Shkodër. Ne pyetëm Shkodrën, u tha se ka rënë borë dhe jo shi. Gjithashtu, nuk është hapur porta e hidrocentralit në nivel që mund të shkaktojë përmbytje. Por kjo nuk do të thotë se shteti i ka bërë të gjitha punët siç duhet./mxh
