Në 16 janar të vitit 1969, studenti Jan Palah, u vetdoq si porm proteste ndaj pushtimit të Çekosllovakisë nga trupat e Traktatit të Varshavës
Nga Leonard Veizi
Në janar të vitit 1969, qytetarët e traumatizuar të Pragës nën çizmen e ushtarit sovjetik, nuk ndoqën indiferentë “spektaklin” ku një njeri digjej në mes të qytetit. Ata u solidarizuan njëherazi me një ndërgjegje që refuzoi të heshtë. Akti i Jan Palahut, student çek i historisë dhe ekonomisë politike në Universitetin “Karl”, nuk ishte vetëm një vetëflijim tragjik; ishte një akt akuzë i drejtpërdrejtë ndaj frikës kolektive, kompromisit moral dhe nënshtrimit që ndjek pushtimin. Në sheshin “Vaclav”, në zemër të qytetit, ai zgjodhi ta kthente trupin e tij në pishtar, për t’i kujtuar shoqërisë se liria nuk humbet vetëm kur shtypet me tanke, por edhe nëse braktiset në heshtje.
Pushtimi
Në vitin 1968, Çekosllovakia u përpoq të merrte frymë ndryshe. Pranvera e Pragës nuk ishte një rebelim kundër socializmit, por një përpjekje për ta shpëtuar atë nga dogma, për t’i kthyer njeriut dinjitetin e munguar. Aleksandër Dubçek artikuloi idenë e një “socializmi me fytyrë njerëzore”, ku fjala e lirë, mendimi kritik dhe reforma nuk do të konsideroheshin tradhti.
Por për Bashkimin Sovjetik dhe udhëheqjen e Traktatit të Varshavës, ky ishte një precedent i rrezikshëm. Liria, edhe kur kërkohet me kujdes, është ngjitëse. Prandaj, në gusht të vitit 1968, të paktën 6,300 tanke dhe rreth 500,000 trupa të Paktit të Varshavës nga Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Gjermania Lindore, hynë në Pragë për të shuar jo vetëm reformat, por vetë idenë se një vend i kampit lindor mund të zgjidhte rrugën e tij. Pushtimi riktheu censurën, frikën dhe bindjen e detyruar. Por mbi të gjitha, riktheu një heshtje të rëndë morale.
Vetëflijimi
Pas pushtimit, shoqëria çeke nuk u mposht menjëherë. Popullsia reagoi me protesta paqësore, ndaluan tanket me barikada trupore dhe valëvitën flamujt Çekosllovakë si shenjë sfide. Por ajo u lodh. Rezistenca u zbeh, kompromisi u normalizua dhe frika u racionalizua. Pikërisht këtu fillon drama e vërtetë morale që prodhoi aktin e Jan Palahut. Më 16 janar 1969, ai shkoi në sheshin “Vaclav”, u lag me benzinë dhe i vuri flakën vetes. Ishte ora 14:25 kur ai nisi të vraponte nëpër shesh derisa u përplas me një tramvaj. Nuk ishte një impuls i çastit, por një vendim i menduar. Në letrat që la pas, ai e quante veten “Pishta i Parë” dhe paralajmëronte se flijimi do të vazhdonte nëse shoqëria nuk zgjohej. Kërkesat e tij ishin të qarta: fund censurës, fund propagandës së pushtuesit.
Ky ishte thelbi i aktit të tij: të tregonte se kur shoqëria hesht, individi mund të bëhet zëri i saj – edhe me çmimin e jetës. Jan Palah nuk donte të vdiste; ai donte të trondiste. Dhe ia doli.
Vdekja e tij, disa ditë më vonë, e ktheu funeralin në një protestë masive të heshtur. Një qytet i tërë ecte pas arkivolit të një studenti, sepse kishte kuptuar se ai kishte bërë atë që shumë të tjerë nuk kishin guxuar as ta mendonin.
Vazhdimësia
Vetëm një muaj më vonë, më 25 shkurt 1969, një tjetër student çek, Jan Zajic, zgjodhi të njëjtin vend dhe të njëjtën formë vetëflijimi, duke e kthyer aktin e Palahut në një thirrje që nuk mund të injorohej më. Në prill të po atij viti, ky zinxhir tragjik vazhdoi me Evzhen Ploçekun në qytetin Jihlava, ndërsa raste të tjera pasuan në heshtje, larg syrit të medias së kontrolluar.
Shembulli i Palahut kapërceu kufijtë e Çekosllovakisë. Në vende të tjera të Traktatit të Varshavës, individë të izoluar, por të vendosur, imituan këtë akt ekstrem si formë proteste morale. Në Hungari, Shandor Bauer u vetëdogj më 20 janar 1969, ndërsa Marton Mojshesh e ndoqi këtë rrugë tragjike më 13 shkurt 1970.
Këta emra, të shpërndarë në hapësirë dhe kohë, dëshmojnë se flaka e një individi mund të përhapet si ide, si refuzim i bindjes së verbër dhe si akt i fundit i lirisë njerëzore.
Në Shqipëri
Në Shqipërinë e asaj kohe, nën diktaturën e Enver Hoxhës, pushtimi i Çekosllovakisë u përdor politikisht për të denoncuar “revizionizmin sovjetik”. Gjithësesi, Shqipëria ishte e vetmja anëtare e Traktatit të Varshavës që e dënoi hapur ndërhyrjen, duke e quajtur një akt agresioni imperialist dhe tradhti ndaj parimeve të socializmit. Si pasojë, më 5 shtator 1968, Tirana shpalli daljen zyrtare nga Pakti i Varshavës, duke argumentuar se ai ishte shndërruar nga një aleancë mbrojtëse në një instrument shtypjeje.
Epilogu
Tanket e Traktatit të Varshavës qëndruan në Çekosllovaki deri në fund të viteve ’80. Por Jan Palah qëndroi më gjatë se ato – në kujtesën morale të Evropës. Në vitin 1989, gjatë Revolucionit të Kadifenjtë, emri i tij u rikthye si një akuzë e heshtur ndaj çdo pushteti që beson se mund ta shtypë lirinë pa pasoja.
Tanimë historia e Palahut nuk është vetëm një kujtim tragjik. Është një pyetje që mbetet pezull mbi çdo shoqëri të frikësuar: çfarë ndodh kur askush nuk flet dhe kush është gati ta thotë fjalën e fundit, duke sakrifikuar jetën e tij?
