Mbi 160 kilogramë kokainë të fshehur brenda një kamioni, janë sekuestruar në kuadër të një operacioni policor masiv nga Guardia di Finanza midis provincave të Bergamos dhe Brescias. Operacioni u finalizua me arrestimin e dy shtetasve shqiptarë dhe sekuestrimin e sasisë së drogës që nëse shitej në treg, mund të arrinte një vlerë prej afërsisht 20 milionë eurosh.
Në kuadër të operacionit u kryen një sërë kontrollesh në zonat kryesore industriale të dy provincave, zona të konsideruara strategjike për trafikimin e paligjshëm të narkotikëve. Zyrtarët e financave nga Njësia e Policisë Ekonomike dhe Financiare të Brescias vunë re aktivitet të dyshimtë rreth një kamioni me rimorkio të ndaluar në një komunë në zonën e Bergamos.
Sipas raportimeve, shoferi i kamionit, i cili vepronte në mënyrë të dyshimtë, hipi në rimorkio pak para se një makinë të ndalonte pranë kamionit. Pikërisht kur shoferi po i dorëzonte shtatë çanta të mëdha shoferit të makinës, Guardia di Finanza nisi të kontrollonte automjetin.
Brenda çantave u gjetën 150 blloqe kokaine, me një peshë totale prej më shumë se 160 kilogramësh. Dy burrat e përfshirë, të dy me origjinë shqiptare, u arrestuan dhe u transferuan në burgun e Bergamos. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar çdo lidhje të mundshme me organizata më të mëdha kriminale. /K.M
