Shqipëria do t’i nënshtrohet pas 12 vitesh një Programi të plotë Vlerësimi të Sektorit Financiar (FSAP), i realizuar bashkërisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Anke Weber, shefe e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, u shpreh në një intervistë për “Monitor” se vlerësimi do të kryhet gjatë vitit 2026 dhe do analizojë në mënyrë të thelluar qëndrueshmërinë e sektorit financiar ndaj goditjeve, do të identifikojë cenueshmëritë e fshehura dhe do të vlerësojë efektivitetin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, duke siguruar që sistemi financiar i Shqipërisë të mbetet i fortë përballë sfidave në zhvillim.
Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i themeluar në vitin 1999, është një vlerësim gjithëpërfshirës dhe i thelluar i sektorit financiar të një vendi.
Në ekonomitë e zhvilluara, FSAP kryhet nga FMN-ja, me fokus në vlerësimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, cilësinë e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, si dhe kapacitetin për të menaxhuar dhe zgjidhur krizat financiare.
Në ekonomitë në zhvillim, FSAP kryhet së bashku me Bankën Botërore.
Bazuar në gjetjet e tyre, programet FSAP prodhojnë rekomandime me natyrë mikro dhe makroprudenciale dhe rekomandime mbi nevojat e zhvillimit, të përshtatura sipas rrethanave specifike të vendit.
Programi FSAP vjen në një moment kur Shqipëria ka avancuar më tej në procesin e integrimit europian. Në veçanti, vitet në vazhdim do të jenë të rëndësishme për përafrimin e plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator me atë të Bashkimit Europian.
Në fund të vitit të kaluar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi se në periudhën 2026-2027, kuadri ligjor dhe rregullator i sektorit bankar do të përafrohet plotësisht me atë të Bashkimit Europian. Guvernatori tha se, në këtë proces, është i domosdoshëm mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i industrisë bankare, në mënyrë që ndryshimet të adoptohen drejt dhe përfitimet të materializohen sa më shpejt.
Ndërkohë, duke iu referuar programit FSAP, Sejko tha se ky vlerësim do të shërbejë si një certifikatë ndërkombëtare për cilësinë e kuadrit të përgjithshëm ligjor dhe nënligjor, praktikave të mbikëqyrjes dhe administrimit të rrezikut për veprimtarinë financiare, duke evidentuar njëkohësisht boshllëqet dhe duke orientuar drejt përmirësimeve të nevojshme.
Rekomandimet e FSAP 2013
Programi i fundit FSAP për Shqipërinë u zhvillua në vitin 2013, ndërsa FMN i publikoi gjetjet dhe rekomandimet kryesore në fillim të vitit 2014.
Në atë periudhë, sektori financiar në vend ndodhej në rrethana të ndryshme nga sot, veçanërisht nën trysninë e krizës së kredive me probleme./K.M
