Last Updated on 19/01/2026 by EL
Siguria e institucioneve penitenciare dhe korrektuese mbetet një nga sfidat më të mëdha për shtetet europiane. Pavarësisht mureve të larta, kamerave dhe stafit të trajnuar, viti 2023 tregoi se sistemet e burgjeve nuk janë të paprekshme. Një numër i konsiderueshëm të burgosurish arriti të largoheshin, shpesh gjatë transferimeve, lejeve apo edhe nga burgjet me siguri të lartë, duke nxitur pyetje mbi funksionimin, organizimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve penitenciare.
Në Francë, shifrat ishin më të larta se kudo tjetër: 1,201 të burgosur u arratisën gjatë vitit. Shumë raste ndodhën gjatë lejeve dhe transferimeve, duke treguar se edhe procedurat që supozohet të jenë të sigurta mund të kenë dobësi.
Në veri të kontinentit, Zvicra regjistroi 371 raste arratisjesh, Suedia 156 dhe Austria 150. Edhe këto shifra, ndonëse më të ulëta se në Francë, tregojnë se as sistemet më të disiplinuara nuk janë imunë ndaj sfidave. Në vendet nordike dhe në Zvicër, ku teknologjia dhe standardet e mbikëqyrjes janë më të avancuara, mungesa e stafit dhe presioni mbi burimet njerëzore shpesh krijojnë vrima në sistem.
Në Europën Jugore, Italia dhe Spanja u përballën me probleme të ngjashme. Italia regjistroi 102 arratisje, ndërsa Spanja 68, shumica nga administrata shtetërore. Burgjet në këto vende përballen me mbipopullim, staf të rraskapitur dhe mungesë investimesh në infrastrukturë, duke e bërë më të lehtë për disa të burgosur të gjejnë rrugë daljeje.
Edhe vendet më të vogla të Europës nuk mbetën jashtë fenomenit. Luksemburgu raportoi 29 arratisje, Danimarka 28, Belgjika 22 dhe Norvegjia 19. Këto shifra tregojnë se sfida e sigurimit të burgjeve nuk lidhet vetëm me madhësinë ose fuqinë ekonomike të një vendi, por edhe me organizimin e brendshëm dhe kulturën e menaxhimit të burgjeve.
Në Ballkan, arratisjet ishin më të pakta në numër, por jo më pak të ndjeshme. Maqedonia e Veriut regjistroi 33 raste, Bosnje dhe Hercegovina 11, dhe Serbia, Greqia dhe Kroacia nga 3 secila.
Vendet si Portugalia (9 raste), Irlanda dhe Rumania (nga 6 secila), Sllovenia (5), si dhe Letonia, Armenia dhe Moldavia (nga një ose dy raste) tregojnë se fenomeni është i përhapur në të gjithë kontinentin. Praktikisht askush nuk ishte i përjashtuar.
Rreziku për shoqërinë
Një aspekt që shqetëson autoritetet dhe qytetarët është se shumë nga të burgosurit që arratisen kanë precedentë penal. Shumë janë dënuar për vepra të rënda, përfshirë vjedhje të dhunshme, sulme, trafik droge apo krime të tjera që lidhen me sigurinë publike. Kjo e bën fenomenin më shqetësues: të arratisurit nuk janë vetëm të lirë, por edhe potencialisht të rrezikshëm. Ekspertët e sigurisë theksojnë se monitorimi i tyre pas arratisjes është i vështirë, dhe mungesa e koordinimit ndërkombëtar mund të lejojë që individët me precedentë të lëvizin shpejt mes shteteve, duke rritur rrezikun për komunitetin.
Arratisjet e vitit 2023 nuk janë thjesht statistika. Ato nxjerrin në pah dobësitë strukturore të sistemeve penitenciare dhe nevojën për reforma të qëndrueshme. Fenomeni reflekton presionin mbi stafin, mbipopullimin, procedurat e ndjekura gjatë transferimeve dhe lejeve, si dhe nevojën për koordinim më të madh ndërkombëtar.
Ekspertët e sigurisë dhe analistët e sistemit penal shohin në këto raste një mundësi për të rishikuar standardet dhe praktikat e mbikëqyrjes, duke përmirësuar infrastrukturën, rritur trajnimin e stafit dhe integruar teknologji që mund të parandalojnë arratisjet. Shqipëria për fatin e saj të mirë nuk pati asnjë arratisje përgjatë 2023, por fillim i këtij vitit shijoi arratisjen më të bujshme, atë të Altin Ndocajt.
Arratisje viti 2023 (raport i bashkimit europian viti 2024)
Shtet-Numer i arratisjeve
Francë | 1,201
Zvicër | 371
| Turqi | 184 |
| Austri | 150 |
| Suedi | 156 |
| Itali | 102 |
| Spanjë (totali) | 68 |
| Finlandë | 68 |
| Spanjë (Administrata Shtetërore) | 66 |
| Maqedonia e Veriut | 33 |
| Luksemburg | 29 |
| Danimarkë | 28 |
| Belgjikë | 22 |
| Norvegji | 19 |
| Bosnje dhe Hercegovinë (Federata e BiH) | 11 |
| Portugali | 9 |
| Lituani | 7 |
| Irlandë | 6 |
| Rumani | 6 |
| Slloveni | 5 |
| Serbi | 3 |
| Greqi | 3 |
| Kroaci | 3 |
| Gjeorgji | 3 |
| Çeki | 2 |
| Moldavi | 2 |
| Armeni | 1 |
| Letoni | 1 |
/Fjala.al
