Last Updated on 20/01/2026 by EL
Nga Nju Jorku, Marko Caka
Rikthimi i intervistave të Linda Ramës, ku ajo flet për jetën me bashkëshortin e saj, kryeministrin e vendit, për ndikimin reciprok dhe reflektime filozofike mbi pushtetin dhe jetën, ngre një debat legjitim publik, se çfarë roli duhet të ketë zonja e parë në një demokraci funksionale?
Personalisht, mbetem i bindur se zonja e parë e kryeministrit nuk ka asnjë detyrim publik të flasë për bashkëshortin e saj, e aq më pak të ndërtojë një narrativë morale apo filozofike rreth pushtetit. Kryeministri është zgjedhur nga qytetarët për të qeverisur. Bashkëshortja e tij jo. Për këtë arsye, profili i ulët institucional do të ishte jo vetëm zgjedhje e mençur, por edhe shenjë respekti ndaj publikut.
Historia politike njeh shembuj të qartë. Melania Trump, një nga figurat më të diskutuara të kohëve moderne, mbajti gjatë mandatit të parë një profil publik minimal, intervista shumë të rralla, dalje të kufizuara dhe asnjë përpjekje për të komentuar politikën apo për të shpjeguar presidencën e bashkëshortit. Edhe më ekstrem ishte rasti i Bess Truman, bashkëshortja e presidentit të 33-të të SHBA-së, Harry S. Truman, e konsideruar Zonja e Parë më e rezervuar në historinë amerikane. Ajo shmangu mediat, refuzoi intervistat dhe zgjodhi jetën private larg Uashingtonit.
Në këtë kontekst, intervistat e zonjës Rama nuk kontribuojnë realisht në informimin e publikut. Ato mbeten në nivelin e fjalëve të mëdha, të paketuar me terma filozofikë dhe reflektime personale që nuk adresojnë asnjë nga çështjet thelbësore që shoqëria shqiptare ka të drejtë të dijë.
Nëse zonja Rama zgjedh të flasë publikisht, atëherë fokusi nuk duhet të jetë marrëdhënia bashkëshortore apo perceptimi i saj mbi pushtetin, por transparenca e plotë mbi aktivitetin e saj profesional, veçanërisht gjatë viteve që ka drejtuar organizata të shoqërisë civile. Pyetjet janë të thjeshta dhe legjitime: si janë shpërndarë fondet dhe bursat? Cilat kanë qenë kriteret? Kush ka përfituar dhe pse këto procese nuk janë bërë kurrë plotësisht transparente? Pra, transparencë, jo poezi.
Shoqëria civile nuk është hapësirë imuniteti nga llogaridhënia, sidomos kur ndërthuret me pushtetin politik.
Heshtja për këto çështje dhe zëvendësimi i tyre me narrativa morale e filozofike nuk i shërben as besimit publik dhe as vetë figurës së zonjës Rama.
Një problem më vete mbetet roli i medias, veçanërisht kur këto intervista realizohen në media publike apo shtetërore, të cilat ndodhen në konflikt të hapur interesi. Në këto raste, gazetaria rrezikon të kthehet në favor, jo në mision informimi.
Këto skena i kemi parë zakonisht vetëm në regjime autoritare, si Siria, ku bashkëshortja e Bashar al Assadit, Asma jepte intervista për të demonstruar pushtetin e saj. Diferenca është vetëm në formë, jo në thelb.
Publiku shqiptar nuk ka nevojë për leksione mbi jetën private të pushtetit. Ka nevojë për sinqeritet, llogaridhënie dhe transparencë. Vetëm nëse këto elemente do të ishin pjesë e një interviste, ajo do të kishte vlerë reale publike. Derisa kjo të ndodhë, heshtja do të ishte zgjedhja më dinjitoze./et
