Nga Edmond Spaho
Në SHBA ka debat të ndezur për mënyrën se si po qeveris Presidenti Donald Trump. Debati është ndezur edhe më tej në arenën ndërkombëtare. Disa zhvillime të brendshme në Amerikë dhe në botë, si në Venezuelë, Groenlandë, Iran, Ukrainë, kanë bërë që politologët përherë e më shpesh po artikulojnë idenë se rendi i vjetër, i cili ka rregulluar marrëdhëniet midis shteteve pas Luftës së Dytë Botërore, është në kolaps dhe vendin e tij po e zë rendi, ku forca përcakton hierarkinë e shteteve dhe është baza e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kjo hipotezë bazohet në radhë të parë në sjelljen e paparashikueshme, kërcënimet politike, ushtarake dhe ekonomike që Presidenti Trump po i bën pjesës tjetër të botës, me synim përfitimin e avantazheve që konsiderohen legjitime dhe duhet të shpërblejnë angazhimin amerikan në ruajtjen e stabilitetit të sistemit botëror. A jemi vërtetë në kushtet e rënies së rendit që ngrihet mbi parimet e lirisë, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut e lirive themelore si dhe mbi shtetin e të drejtës dhe zëvendësimin e tij me një rend ku këto marrëdhënie bazohen mbi forcën? Parakusht dhe domosdoshmëri për përdorimin e forcës nga SHBA në marrëdhëniet ndërkombëtare (si fuqia kryesore botërore) është që edhe në zhvillimet e brendshme amerikane të sundojë forca në zgjidhjen e tyre. Historia dhe regjimet fashiste para Luftës së Dytë Botërore na kanë mësuar se, zëvendësimi i rendit demokratik fillon brenda vendit dhe më pas shtrihet në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Për të kuptuar zhvillimet në SHBA dhe raportet me pjesën tjetër të botës, duhen analizuar zhvillimet në politikën amerikane gjatë viteve 1960-1975. Paralelet e saj më sot janë të shumta. Gjatë viteve 1960-1975 dy Presidentë të SHBA-ve, Kenedi dhe Nixon, sfiduan thelbësisht sistemin. Të dy sfiduan kompleksin inteligjent, ushtarak dhe industrial, synuan kontroll civil real mbi sistemin dhe aparatin e tij, u përpoqën të çmontonin logjikën e përshkallëzimit në konfliktet ndërkombëtare, anashkaluan hallkat e sistemit (Pentagon, Kongres, Senat) nëpërmjet kanaleve personale në procesin e vendimmarrjes, si dhe u përpoqën të kontrollonin dhe zvogëlonin rolin e CIA. Presidenti Kenedi erdhi në pushtet me mafien si mbështetje, thënë ndryshe me ndihmë jo formale. Më pas ai goditi burimin e kësaj ndihme, si dhe krijoi armiq jashtë sistemit, por të lidhur me të. Pas ardhjes në pushtet ai e tronditi thellë sistemin nëpërmjet katër politikave të tij:
1. Plani i tërheqjes nga Vietnami
2. Refuzimi për pushtimin e Kubës pas ndërhyrjes në Gjirin e Derrave
3. Komunikimet e fshehta me Castron
4. Detanta me BRSS pas krizës së raketave.
Këto politika kapërcyen vijat e kuqe të sistemit të sigurisë dhe interesave të SHBA, prandaj Presidenti Kenedi u hoq nga Presidenca. Vrasja e tij u realizua nga shumë aktorë me interesa të kryqëzuara dhe kaos në kontrollin e zhvillimeve të mëpasshme. Nixon erdhi në pushtet pas një humbje shumë të ngushtë me Kenedin në vitin 1960 dhe një fitore akoma më të ngushtë ndaj Humprey në vitin 1968. Në fillimet e tij Nikson konsiderohej skifter i sistemit. Pas inaugurimit si president, fokusi i Nikson u përqendrua në:
1. Tërheqja e trupave ushtarake nga Vietnami
2. Hapja dhe zbutja e marrëdhënieve me Kinën
3. Detanta me BRSS dhe marrëveshja SALT 1 për kontrollin dhe pakësimin e armëve bërthamore
Ashtu si Kenedi, edhe Nikson kaloi vijat e kuqe pasi këto tri politika strategjike konsideroheshin të parakohshme dhe kërcënuese për sigurinë e Amerikës. Për më tepër, të gjitha negociatat për to u zhvilluan pa pjesëmarrjen dhe në sekret të plotë nga hallkat e sistemit. Nikson u rrëzua nga Watergate. Ai nuk pati fundin e Kenedit sepse ishte paranojak, krijoi dosje dhe regjistrime për presion të mëvonshëm, si dhe pati kohë në dispozicion për të negociuar. Sistemi e kishte mundësinë ta largonte Nikson me procedurë, pasi struktura e tij ishte konsoliduar. Një vrasje në vitet ‘70 do të shkatërronte besimin publik, do destabilizonte vendin si dhe do forconte dyshimet për mënyrën sesi ai funksiononte. Niksoni nuk u rrezua sepse ndodhi Watergate. Watergate ndodhi sepse duhej hequr Nikson pa tronditur sistemin.
E vërteta është që ai u rrezua sepse kishte humbur mbështetjen e aparatit shtetëror. Ky konkluzion nuk është konspiracion i paprovueshëm, por analizë e pushtetit real të kohës. Zhvillimet e viteve 1960-1975 treguan që sistemi amerikan toleron presidentë “rebelë” deri në pikën ku rrezikojnë arkitekturën e sigurisë së vendit. Përtej kësaj pike, presidenti ose neutralizohet, ose largohet. Mjetet e neutralizimit ose largimit varen nga koha, konteksti dhe kostoja. Po të bëjmë një analizë historike krahasuese me zhvillimet pas vitit 2016, do vëmë re të njëjtat simptoma. Presidenti Donald Trump erdhi në pushtet me premtimin për të shkatërruar sistemin që qeveris Amerikën prej 250 vjetësh. Presidenti Trump, pavarësisht sloganeve të MAGA-s, në dallim nga Presidentët Kenedi dhe Nixon, erdhi në pushtet si anomali e sistemit dhe jo si ideolog. Ai nuk erdhi në pushtet me doktrinë shtetërore, por me instinkt tregtar, logjikë negocimi, përçmim për procedurat dhe mungesë të thellë respekti për hierarkinë institucionale. Kjo e bën Presidentin Trump më pak të rrezikshëm ideologjikisht, por me destabilizues në sjellje. Sistemi po e lejon Presidentin Trump të gabojë, të bëjë zhurmë, madje edhe të gënjeje.
Sistemi nuk do ta toleroje Trump-in nëse ai do ta trajtoje shtetin amerikan si tryezë pazari. Kjo është vija e kuqe për të. Ai është nën monitorim të rreptë, veçanërisht për ato që bëri gjatë mandatit të parë dhe sulmin ndaj Kongresit. Atentati gjatë fushatës është domethënës. Skema që sistemi po kontrollon Trump është e ngjashme me atë që u zbatua ndaj Nixon, por me mjete me moderne. Ai po delegjitimohet në mënyrë të vazhdueshme, po hetohet pa mbarim, në media po rridhet informacion selektiv dhe po kriminalizohet për çështje procedurale, por jo politike. Në të vërtetë, sistemi nuk synon të provojë fajësinë apo pafajësinë e tij. Për të mjafton ta neutralizojë, nëse kalon vijat e kuqe. Në dallim nga Kenedi dhe Nixon, Presidenti Trump, veçanërisht gjatë mandatit të tij të dytë nuk ka tentuar të kontrolloje CIA, nuk po shkurton strukturën e sistemit si dhe nuk e ka prekur aparatin e tij. Departamenti i Elon Musk më shpejt u shpërnda se sa u formua. Presidenti Trump përpiqet ta përdorë sistemin, por jo në kuptimin që “unë jam Komandant Suprem” siç iu shpreh Nixon, drejtorit të CIA, por “çfarë marr unë dhe çfarë merrni ju”. Kjo është arsyeja që deri sot ai nuk është larguar institucionalisht dhe nuk është izoluar si Nixon.
Historinë e tij, Presidenti Trump e ka të hapur sepse nuk përplaset me aparatin e sistemit, por bën pazare me të. Pavarësisht sa më sipër, nuk mund të mohohet se gjatë 5 viteve në pushtet, Presidenti Trump është goditur nga sistemi. Kjo ka ndodhur sepse aparati i tij ka dashur të japë mesazhin që pazari është i rrezikshëm, po të krijohet precedenti i pazarit, ai bëhet toksik. Duke e goditur, atij i është bërë e qartë se, një outsider si Trump që negocion, mund të jetë më i rrezikshëm se një president ideolog. Nëse do t’i krahasojmë të tre presidentet, Kenedi ishte idealist, Nixon ishte paranojak, Presidenti Trump është transaksional dhe kjo e bën atë të paparashikueshëm. Mësimet që politika duhet të nxjerrë nga vitet 1960-1975 janë të shumta. Presidenti në SHBA është i fuqishëm sa kohe aparati i sistemit e pranon atë dhe legjitimiteti formal i presidentit i dalë nga zgjedhjet, nuk mjafton për të ushtruar gjithë mandatin. Presidenti Trump e kupton këtë instinktivisht, prandaj në politikën e brendshme dhe atë të jashtme ai shpesh godet, tërhiqet, negocion dhe kthehet sërish. Ai nuk kërkon të fitojë betejën morale, por të mbijetojë politikisht.
Përfundimi: Ajo që po ndodh sot në Amerikë dhe në marrëdhëniet e saj me pjesën tjetër të botes nuk është e re, prandaj asgjë e vjetër po zhduket dhe asgjë e re po lind. Sot sistemi amerikan nuk i shkatërron më presidentët me dhunë apo shkarkim të menjëhershëm. Ai i konsumon ngadalë, përmes ligjit, medias dhe procedurës derisa ata të behën të menaxhueshëm ose të padëmshëm. Presidenti Trump është ende në lojë, sepse pavarësisht çfarë thotë, nuk kërkon ta çmontojë sistemin, por ta përdorë atë për leverdinë e tij. Kjo e bën historinë e tij më të gjatë, por jo domosdoshmërish më të sigurt. A ka mësuar sistemi dhe Presidenti Trump nga përvoja e Nixon dhe Kenedit? Nga ngjarjet e viteve 1960-1975, aparati amerikan nxori disa mësime themelore si të mos e lejojë Presidentin të izolojë institucionet, të mos përballet me të drejtpërdrejt, të përdorë ligjin kur shkelet vija e kuqe e jo forcën dhe kur ndërhyn, krijo delikte si Watergate, jo martirë si Kenedi.
Mendoj që Trump nuk ka mësuar nga zhvillimet e viteve 1960-1975, pasi ai mëson vetëm nga vetja. Presidenti Trump nuk është produkt historik, por i intuitës së tij. Ai është produkt i biznesit, televizionit, instinktit dhe reagimit. Ai nuk pyet “çfarë i ndodhi Nixon”, ai pyet “çfarë funksionon sot për mua?”. Kjo e bën atë të shpejtë, elastik, por strategjikisht të cekët. Ai nuk ndërton marrëveshje institucionale, ai ndërton marrëveshje momentale. Perse ky model po funksionon deri diku? Sepse në dallim veçanërisht nga Presidenti Nixon, ai nuk po hyn në territor të ndaluar, nuk po krijon arshiva të rrezikshme, nuk po bën regjistrime sekrete, nuk është futur në thellësitë e shtetit dhe nuk kërkon kontroll real mbi aparatin e sistemit. Trump nuk po kupton një gjë thelbësore që Nixon e kuptoi vonë: Sistemi nuk ka nevojë të të rrezojë, nuk të burgos, madje mund të ta kurseje impeachment. Nëse është e nevojshme, ai të bën të parëndësishëm nëpërmjet neutralizimit afatgjatë. Ndërsa sistemi ka evoluar ngadalë, por pa kthim, Trump po improvizon me talent, por pa doktrinë. Në histori, improvizuesit fitojnë beteja, institucionet fitojnë maratonën. Nixon humbi sepse sfidoi sistemin, Trump mbijeton sepse bën pazare me të, sistemi fiton sepse ka durim.
Bibliografi:
1. Who Really Killed Kenedi, Jerome Corsi, 2013
2. JFK Assassination Rehearsal, Nick Nero,
2021
3. Crime And Coverup: The CIA, The Mafia And The Dallas-Watergate Connection,
Peter Scott, 1977
4. Reopening The Watergate, David Dorsen, 2025
5. Secret Agenda, Jim Hougan, 1984
6. Silent Coup, Len Colodny, Robert Gettlin, Roger Morris, 1991
7. Scorpion’s Dance, Jefferson Morley, 2022
8. Watergate Exposed, Robert Merritt, 2010
9. The Making Of The President 2016: Hoë
Donald Trump Orchestrated a Revolution,
Roger Stone, 2017
10. The Plot To Destroy Trump: The Deep
State Conspiracy, Theodore Malloch 2019
11. Fire And Fury: Inside the Trump White
House, Michal Wolff, 2018
12. The Room Where It Happened, John
Bolton, 2020v
