Ditën e enjte, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme me intensitet të ulët që nga orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes, në pjesën më të madhe të vendit. Lokalisht në jug priten edhe shtrëngata afatshkurtra. Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë me intensitet të ulët, ndërsa në zonat veriperëndimore, perëndimore dhe jugore herë pas here do të ketë reshje me intensitet deri mesatar, kryesisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes.
Në zonën e Alpeve dhe në relievet e larta malore në verilindje dhe juglindje të vendit priten reshje dëbore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë me drejtim juglindje – jug, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 13 m/s.
