Bashkimi Evropian reagoi ashpër duke deklaruar se asnjë vend në botë nuk mund t’i japë mësime Evropës për lirinë e shprehjes online. Reagimi vjen pas një raportimi të agjencisë Reuters, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara po përgatisin një portal të ri online që do t’u lejojë përdoruesve të anashkalojnë rregulloret digjitale të vendeve të tyre.
Sipas burimeve të njohura me planin, U.S. State Department po zhvillon një faqe interneti me adresën “freedom.gov”, ku qytetarët në Evropë dhe rajone të tjera do të mund të aksesojnë përmbajtje të ndaluara nga qeveritë e tyre, përfshirë materiale të konsideruara si gjuhë urrejtjeje apo propagandë terroriste.
Një nga burimet tha se zyrtarët amerikanë kanë diskutuar edhe përfshirjen e një funksioni virtual privat, që do ta bënte trafikun e përdoruesve të dukej sikur vjen nga SHBA, ndërsa aktiviteti i tyre në platformë nuk do të gjurmohej.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt mbi planin amerikan, por theksoi se vendet anëtare të bllokut zbatojnë rregullore të qarta për të bllokuar faqet që promovojnë gjuhë urrejtjeje apo përmbajtje terroriste.
“Këto përmbajtje nuk kanë vend në Evropë. Kjo është arsyeja pse kemi rregullore për shërbimet digjitale”, u shpreh ai, duke shtuar se asnjë juridiksion në botë nuk mund t’i japë këshilla Evropës për lirinë e shprehjes në internet.
Projekti amerikan mund të tensionojë më tej marrëdhëniet mes administratës së presidentit Donald Trump dhe aleatëve tradicionalë evropianë, marrëdhënie që tashmë janë përballur me përplasje lidhur me tregtinë, luftën në Ukrainë dhe qëndrimet e Uashingtonit për çështje strategjike.
Nëse realizohet, portali do ta vendoste Uashingtonin në një pozicion të pazakontë, duke u dukur sikur inkurajon qytetarët e vendeve të tjera të shmangin ligjet vendore për rregullimin e hapësirës digjitale./mxh
