Last Updated on 21/02/2026 by Anisa
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, gjatë namazit të Teravive, ku disa besimtarë u lënduan.
Në një reagim zyrtar, komuniteti shpreh “indinjatën e thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve”, duke theksuar se ata ndodheshin në xhami për të kryer ritualet fetare në paqe dhe qetësi.
Deklarata vë në dukje se komuniteti ka qenë gjithmonë i matur dhe i përmbajtur në reagimet publike, por kjo nuk duhet të interpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve.
“Dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak”, thuhet në reagimin e KMSH-së.
Komuniteti bën thirrje që të gjithë aktorët e përfshirë të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve apo të qytetarëve të tjerë.
