Biletat ndërqytetase nga Korça drejt Tiranës dhe e anasjella kanë pësuar rritje, qytetarët prej disa ditësh po paguajnë 1000 lekë për një udhëtim, nga 700 lekë që ishte tarifa më parë.
Një pensionist thotë se me të ardhurat që merr, nuk mund ta përballojë një tarifë të tillë. Ai shprehet se ka nevojë të udhëtojë drejt Tiranës për vizita në spital dhe për çështje familjare, por tashmë detyrohet të presë hapjen e rrugës.
“Se përballojmë dot, jemi pensionistë. Kishim për të vajtur në Tiranë e s’vemë dot. Si tja bëjmë, do rrimë, kur të hapën rrugët do shkojmë. Kemi për të shkuar në spital, kemi njerëz andej, nuk jemi të vetëm, për gëzime, për vdekje, çdo gjë. E dimë si është edhe rruga e Gramshit se unë jam nga zona andej. Ai që shkon duhet ta pyesë veten mirë”, u shpreh pensionisti.
Edhe drejtuesit e mjeteve e konsiderojnë të vështirë qarkullimin në rrugën alternative. Sipas tyre, segmenti përmes Gramshit paraqet rrezikshmëri dhe kosto shtesë për mjetet, duke shtuar shpenzimet për karburant dhe mirëmbajtje. Një shofer autobusi thekson se dëmtimet në mjete janë të shpeshta dhe rruga kërkon kujdes maksimal.
“Rruga e Gramshit mos të të çojë perëndia. Ika pardje në darkë se patëm një vdekje në Tiranë dhe e kemi bërë 5 orë. Ika me makinë të vogël, në atë rrugë po të kisha mjetin tim nuk e çoja. Shofer jam vetë, bileta është e lartë por në varësi të rrugës, mjetin e le andej e s’ke çti bësh. Tarifat edhe mund të qëndrojnë të larta se dhe ata hallin e tyre kanë. Jam vetë shofer autobusi, i lartë është si mjet por dy herë bëra dje gomën me makinë të vogël”, deklaroi një drejtues mjeti.
Qytetarët shprehin gjithashtu frikën se rritja e çmimit mund të mbetet në fuqi edhe pas rihapjes së aksit të bllokuar, duke e kthyer tarifën prej 1000 lekësh në një çmim të përhershëm. Ata kërkojnë ndërhyrje dhe monitorim nga institucionet për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar tarifa të përballueshme.
“Asgjë s’përballojmë dot. Shumë keq është por s’kemi çtë bëjmë, në këtë vend jetojmë. Unë s’po udhëtoj vetë, nuk i përballoj dot këto gjëra. Çdo gjë që bëhet, rritet e nuk ulet më, sepse s’ka kontrolle. Çdo gjë është e mbaruar këtu, ne nuk jetojmë dot”, tha një qytetar.
“Me këtë pension që marr unë, 130 mijë lek (të vjetra) nuk e përballoj dot. Ata e dinë çfarë heqin që u duhet të shkojnë në Tiranë. Kur ika herën e parë (para 1 muaji) ra një gur dhe ai shoferi mezi shpëtoi, e mori ambulanca e solli në Korçë. Çmimi është i papërballueshëm”, u shpreh një qytetar tjetër.
Jashtë kamerave shoferët shprehen se zgjatja e kohës së udhëtimit, rritja e konsumit të karburantit dhe amortizimi i mjeteve kanë sjellë kosto shtesë, të cilat janë reflektuar në çmimin e biletës. Ndërkohë, deri në stabilizimin e situatës në aksin Librazhd–Prrenjas, udhëtarët drejt Tiranës do të duhet të përballen me kosto më të larta dhe me një itinerar më të gjatë e më të vështirë./kb
