Last Updated on 04/03/2026 by EL
Qelizat e trurit nuk mbështeten vetëm te sinjalet kimike, por ndjekin një lloj “peme gjenealogjike” biologjike.
Ku jam? Çfarë duhet të bëhem? I gjithë zhvillimi i trurit mund të bazohet në këto pyetje të thjeshta, të paktën nga pikëpamja biologjike. Këtë e sugjeron një studim i publikuar në revistën Neuron, i cili është përpjekur t’i përgjigjet një dileme pothuajse të pamundur: nga cilat rregulla organizohet truri duke nisur nga një qelizë e vetme, deri te rreth 170 miliardë qelizat e një truri të rritur njerëzor?
Sipas analizës, kriteri mund të jetë çuditërisht i thjeshtë dhe jo aq i ndryshëm nga ai që ndjekin brezat e njerëzve kur vendosin se ku të banojnë dhe si të organizohen.
Kërkimi u zhvillua nga një grup shkencëtarësh të Cold Spring Harbor Laboratory në Nju Jork, në bashkëpunim me Harvard University dhe ETH Zurich.
Për të shpjeguar problemin fillestar flet Stan Kerstjen, neurobiolog kompjuterik dhe autori i parë i studimit: të vetmet gjëra që një qelizë “sheh” janë vetja dhe qelizat pranë saj. Por fati i saj varet nga vendi ku pozicionohet; një qelizë në vendin e gabuar bëhet diçka e gabuar dhe truri nuk zhvillohet siç duhet.
Modelet tradicionale parashikojnë që qelizat e trurit shkëmbejnë informacion mbi rolin dhe pozicionin e tyre përmes sinjaleve kimike. Kjo ide mbetet e vlefshme, por funksionon mirë vetëm kur bëhet fjalë për pak qeliza. Në një kontekst me miliarda qeliza, ku çdo sinjal duhet të arrijë saktësisht në një pikë dhe vetëm aty, kjo nuk mjafton më. Një sinjal kimik mund të përhapet vetëm deri në një distancë të caktuar përpara se të zbehet.
Pra, si organizohen qelizat e trurit gjatë zhvillimit? Si e kuptojnë çfarë roli duhet të marrin dhe ku duhet të vendosen?
Sipas modelit të ri të propozuar, qelizat trashëgojnë këto udhëzime nga qelizat e tyre mëmë. Ndryshe nga një ushtri që ka një zinxhir komandimi të qartë dhe një gjeneral në krye, gjatë zhvillimit të trurit mungon një “gjeneral”. Në fazat e para të zhvillimit, qelizat formojnë një njësi të ngushtë përmes sinjaleve lokale. Ndërsa indet rriten dhe qelizat largohen deri sa dalin jashtë shtrirjes së sinjaleve, këto njësi lokale ndahen në nënnjësi që trashëgojnë gjendjen e qelizave paraardhëse.
Parimi nuk ndryshon shumë nga ai që udhëheq lëvizjet e njerëzve brez pas brezi. Qelizat që rrjedhin nga i njëjti paraardhës kanë tendencë të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, ashtu si njerëzit që ndajnë të njëjtën origjinë përfundojnë duke ndarë territore dhe duke u përhapur në struktura ku komunikimi i brendshëm është i lehtë.
Shkencëtarët e testuan vlefshmërinë e këtij modeli fillimisht në nivel teorik dhe më pas te miu dhe peshku zebër, një organizëm model në biologji me tru në zhvillim, duke konfirmuar se hipoteza funksionon edhe kur aplikohet në trurë me madhësi dhe kompleksitet të ndryshëm.
Sinjalet kimike të përshkruara nga modelet e mëparshme funksionojnë kështu në kombinim me këto informacione mbi pozicionin dhe detyrën, të transmetuara nga qelizat mëmë. Sipas autorëve, e njëjta skemë mund të aplikohet edhe në inde dhe formacione të tjera në zhvillim, si tumoret, mund të ndihmojë inteligjencat artificiale që simulojnë funksionimin e trurit njerëzor dhe të kontribuojë në kuptimin më të thellë të evolucionit të trurit dhe inteligjencës njerëzore./F.Ç
