Fjalë të mëdha përpara largimit të tij: Leon Goretzka beson se Bajerni i Mynihut mund të bëj sërish histori. Mesfushori gjerman sheh paralele të qarta me triumfin e jashtëzakonshëm të vitit 2020 dhe e bën të qartë se 6 vite më vonë, skuadra nga Mynihu është gati për një sukses të madh. “Jam shumë i etur ta përsëris vitin 2020, por këtë herë me tifozët tanë. Kjo do të ishte diçka krejt tjetër,” tha Goretzka.
Atëherë, Bajerni triumfoi në finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG, duke fituar 1- 0 falë golit vendimtar të Kingslej Koman. Megjithatë, për shkak të pandemisë, në stadiumin e Lisbonës nuk pati spektatorë. Po ashtu, mungoi edhe një festë e madhe me tifozët e klubit gjerman. Nga ana sportive, 31 vjeçari tani sheh kushte të ngjashme. Vetëbesimi i tij i mëparshëm “është rikthyer javët e fundit”.
Për Goretzkën, kjo është më shumë sesa një moment i përkohshëm: “Nuk është garanci për të fituar titullin në elitë, por është ajo ndjesia e veçantë që mund ta përjetosh një ose dy herë në karrierë.” Ai është veçanërisht i impresionuar nga struktura e përgjithshme nën drejtimin e trajnerit Vinsent Kompani, e cila është zhvilluar gjatë dy viteve të fundit: “Kemi një ekip ku gjithçka funksionon në mënyrë perfekte së bashku. Kemi cilësi individuale dhe, në të njëjtën kohë, uri dhe gatishmëri për të vrapuar.”
Futbollisti nga Bokumi, i cili do të largohet nga klubi pas tetë vitesh dhe raportohet se është pranë një transferimi te AC Milan, u bë gjithashtu emocional. Ai shprehu mirënjohjen e tij për “një periudhë të mrekullueshme, intensive dhe të veçantë”. Një faktor kyç, sipas tij, ishte atmosfera brenda klubit: “Nga jashtë nuk mund ta imagjinosh sa mikpritëse është dhoma e zhveshjes.” Pavarësisht konkurrencës së madhe, ambienti është unik: “Po, konkurrenca është shumë e fortë dhe kërkohet shumë nga ty, por në të njëjtën kohë, që nga dita e parë jam ndier i sigurt dhe i mbrojtur.” Mesazhi i tij i lamtumirës tingëllon si një trashëgimi: “Fryma ‘Mia san mia’ duhet të ruhet, pishtari duhet të përcillet gjithmonë.”/mxh
