Anglia është vënë prej disa ditësh në alarm si pasojë e shpërthimit të meningitit B në juglindje të saj. Disa raste janë konfirmuar, ka ende disa të tjerë në process verifikimi si të dyshuar ndërsa 2 të rinj kanë humbur jetën prej këtij infeksioni.
Për të frenuar përhapjen e infeksionit tek të rinjtë, mbretëria e bashkuar ka hapur disa qendra vaksinimi për studentët. Ekspertët theksojnë se vaksinimi mbetet një mjet kyç, por mbrojtja e plotë arrihet vetëm disa javë pas dozës së dytë.
Autoritetet kanë bërë me dije se po e menaxhojnë situatën në mënyrë aktive, duke theksuar se rreziku për popullatën mbetet i ulët, megjithëse sëmundja është shumë serioze.
Meningiti është një infeksion që shkakton inflamacion të membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Sa I takon Meningitit B, ai është një formë bakteriale e cila priret të jetë më e rëndë se format virale
Sëmundja përhapet përmes kontaktit të afërt, si puthjet, kollitja apo ndarja e enëve.
Simptomat kryesore që shfaqen papritur përfshijnë temperaturë të lartë, të dridhura, dhimbje qafe dhe një skuqje karakteristike në lëkurë që nuk zhduket me presion dhimbje të forta koke, dhimbje muskujsh.
Autoritetet paralajmërojnë se këto simptoma mund të ngatërrohen lehtë me gripin apo viroza të zakonshme, veçanërisht tek studentët.
