Last Updated on 24/03/2026 by Anisa
Qeveria shqiptare ka konkretizuar paketën e projekteve strategjike që synojnë realizimin e vizionit madhor të kabinetit “Rama 4”, të njohur si “Shqipëria 2030”. Dokumenti i Politikave Prioritare, i publikuar në Fletoren Zyrtare, parashikon zbatimin e 114 projekteve në periudhën 2027–2029, me një vlerë totale prej rreth 7.38 miliardë euro.
Ky plan përfshin investime në sektorët kyç të zhvillimit të vendit, duke filluar nga ekonomia dhe transporti, deri te energjia, arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale. Megjithatë, fokusi kryesor i financimeve mbetet infrastruktura, e cila do të përthithë pjesën më të madhe të buxhetit.
Transporti renditet si sektori prioritar, i orientuar drejt ndërlidhjes rajonale dhe forcimit të rolit të Shqipërisë si një nyje tranziti në Evropë. Projekti më strategjik i dekadës konsiderohet ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës–Prishtinë, me një kosto prej 750 milionë eurosh. Kjo linjë synon të lidhë në mënyrë moderne dy ekonomitë shqiptare, duke transformuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, si dhe duke ulur kostot e transportit me mbi 50% krahasuar me rrugët tokësore aktuale.
Ndër projektet më të kushtueshme në këtë sektor janë edhe ndërtimi i segmentit rrugor Poçem–Memaliaj, me një vlerë prej 597 milionë eurosh, si dhe rehabilitimi i hekurudhës Rrogozhinë–kufiri me Maqedoninë e Veriut, që kap shifrën e 451 milionë eurove.
Lista përfshin gjithashtu zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës, me një investim prej 298 milionë eurosh, si dhe ndërtimin e segmentit Milot–Balldren, me vlerë 213 milionë euro. Ky i fundit është një projekt kompleks për shkak të terrenit malor dhe kërkon ndërtimin e tuneleve dhe urave të shumta.
Në krye të listës së 114 projekteve qëndron hidrocentrali i Skavicës, investimi më i madh individual me një kosto prej 800 milionë eurosh. Ky projekt energjetik parashikon ndërtimin e një dige 147 metra të lartë në lumin Drini i Zi, në zonën e Kukësit.
Sektori i energjisë përfshin gjithashtu projekte të tjera të rëndësishme, si ndërtimi i termocentralit në Vlorë, zhvillimi i impianteve fotovoltaike në Belsh dhe instalimi i matësve inteligjentë të energjisë, ky i fundit me një vlerë prej 330 milionë eurosh.
Përtej infrastrukturës dhe energjisë, programi “Shqipëria 2030” synon një zhvillim të balancuar, duke përfshirë investime edhe në sektorët socialë, si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët.
Në tërësi, kjo paketë projektesh përfaqëson një nga planet më ambicioze të zhvillimit për vendin, duke synuar modernizimin e ekonomisë dhe afrimin e Shqipërisë me standardet evropiane./A.D
