Parlamenti Europian ka miratuar ditën e sotme një ligj që synon përshpejtimin e deportimit të emigrantëve të paligjshëm në “qendrat e kthimit” jashtë Bashkimit Evropian, ndërsa rritet presioni për të shtrënguar rregullat e imigracionit.
Eurodeputetët në Bruksel votuan me 389 vota pro dhe 206 kundër në favor të reformave që hapin rrugën për krijimin e qendrave të migrantëve përtej kufijve të bllokut për të strehuar migrantët, kërkesat e të cilëve për azil refuzohen. Sipas propozimeve, ata që refuzojnë të zhvendosen në qendrat e kthimit do të përballen me dënime të ashpra.
Ligji u mundëson vendeve të BE-së të kthejnë migrantët e parregullt në vende të treta që nuk kanë lidhje me origjinën e tyre, për sa kohë që ato kanë marrëveshje dypalëshe me një shtet jo-anëtar të BE-së për të ndërtuar qendra të quajtura “qendra kthimi” në territorin e tij.
Si eurodeputetët ashtu edhe vendet e BE-së duan të përfshijnë në deportimet drejt vendeve të treta familjet me fëmijë, duke përjashtuar nga kjo dispozitë vetëm të miturit e pashoqëruar. Hapi tjetër do të jenë negociatat midis ligjvënësve dhe shteteve anëtare mbi një tekst përfundimtar legjislativ.
Ndërkohë, skema të ngjashme janë përballur tashmë me probleme ligjore. Plani i Mbretërisë së Bashkuar për të deportuar emigrantë pa dokumente në Ruandë u anulua përfundimisht pas pengesave të shumta në gjykata. Plani i Italisë për deportimin e emigrantëve në Shqipëri nuk ka pasur sukses për shkak të sfidave të veta ligjore./mxh
