Last Updated on 27/03/2026 by Anisa
Pasditen e kësaj të premte, rreth orës 17:00, do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste për Njësinë nr. 2 në Tiranë. Takimi do të mbahet në ambientet e Hotel Tirana, ku pritet të bëhet edhe prezantimi i delegatëve të rinj për këtë strukturë.
Kjo mbledhje vjen vetëm një javë pas Asamblesë Kombëtare të PS-së në Lalëz, ku u ndërmorën ndryshime në drejtimin politik të partisë nëpër qarqe, si dhe pas një serie takimesh intensive të kryeministrit Edi Rama me ministrat e kabinetit.
Në Njësinë nr. 2, Partia Socialiste ka përzgjedhur një ekip që synon të balancojë eksperiencën politike me angazhimin konkret në terren. Pjesë e këtij grupi janë Gent Gazheli, Olta Manjani, Delina Ibrahimaj dhe Blendi Klosi, të cilët do të punojnë për realizimin e objektivave të përcaktuara nga drejtuesi i qeverisë.
Ndërkohë, ditën e nesërme pritet të zhvillohet një takim “retreat” i kryeministrit Rama me Grupin Parlamentar të PS-së dhe ministrat. Sipas informacioneve, mbledhja do të hapet në orën 11:00 nga kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë vetë Rama.
Në fokus të këtij takimi do të jetë analiza e punës së institucioneve kryesore dhe forcimi i bashkëpunimit mes deputetëve dhe strukturave ekzekutive. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe reformës administrativo-territoriale, ku bashkëkryetari i procesit, Arbjan Mazniku, do të prezantojë ecurinë dhe hapat e ardhshëm për riorganizimin e pushtetit vendor.
Po ashtu, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, pritet të paraqesë strategjinë e re të komunikimit, e cila synon të rrisë transparencën dhe të përmirësojë ndërveprimin me publikun.
Ky zhvillim konsiderohet pjesë e përpjekjeve të Partisë Socialiste për të forcuar organizimin e brendshëm dhe koordinimin politik në funksion të objektivave të saj në vijim.
