Rritja e çmimeve të karburantit në Shtetet e Bashkuara ka shtyrë dhjetëra qytetarë të rreshtohen që në orët e para të mëngjesit pranë një pike karburanti në Chicago, për të përfituar nga një iniciativë bamirësie që ofronte benzinë falas.
Nisma u organizua nga filantropi lokal Willie Wilson, i cili shpërndau deri në 35 dollarë karburant për çdo drejtues mjeti, sipas parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari”.
Qytetarët që prisnin në radhë shprehën pakënaqësinë për çmimet e larta të karburantit. Një prej tyre deklaroi se kishte pritur mbi një orë e gjysmë për të përfituar nga ndihma, duke e cilësuar situatën si shumë të vështirë për familjet amerikane.
Pakënaqësitë janë drejtuar edhe ndaj presidentit Donald Trump, ndërsa disa qytetarë e fajësojnë për rritjen e kostos së jetesës dhe të çmimeve të naftës.
Kjo nuk është hera e parë që Wilson organizon iniciativa të tilla, të cilat shpesh kanë shkaktuar trafik të rënduar për shkak të fluksit të madh të automjeteve.
Rritja e çmimeve lidhet ngushtë me zhvillimet ndërkombëtare, pasi konflikti mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit, tashmë në muajin e dytë, ka ndikuar ndjeshëm në tregjet globale të naftës, duke i rritur ato me mbi 50%.
Sipas sondazhit më të fundit nga Reuters dhe Ipsos, vetëm 36% e amerikanëve miratojnë aktualisht performancën e presidentit Trump, ndërsa shumica shprehen kundër përfshirjes në konfliktin me Iranin.
Situata vijon të mbetet sfiduese për qytetarët amerikanë, të cilët përballen me rritje të vazhdueshme të kostove të jetesës./mxh
