Nga Artan Fuga
Si nis, nuk bitis!
(Herbert Spenser)
Le të mos e hamë sapunin për djath nga propagandat politike surrogato! Janë për të bërë mendjet lavazh.
Nuk është kollaj të qeverisësh kur nuk di dhe nuk mendon veç për veten tënde duke abuzuar me besimin publik. Ne nuk kemi ditur sepse nuk e kemi njohur as demokracinë, shtetin ligjor, as ekonominë e tregut.
Reformat janë bërë vetëm me një logjikë: Të monopolizojnë pushtet!
Prandaj na ka ndodhur ajo që thotë një nga themeluesit më të mëdhenj të sociologjisë, Herbert Spenser :
Cdo institucion (nëse bëhet brenda një kulture sundimi ndaj qytetarit, drejtuar nga burokracia) nis si ëndërr lirie dhe përfundon krejt tjetër nga origjina e tij! Bëhet vegël dhune dhe sundimi!
Në 35 vite procesi nga shpresëdhënës ka përfunduar në një qorrsokak jo thjesht për këtë apo atë rastësi, për shkak të kësaj apo asaj psikologjie të ndonjë personazhi kalimtar në historinë shumëshekullore të Shqipërisë.
Por, nga vetë thelbi burokratik i proceseve.
Reforma agrare u kthye në dështim të bujqësisë mbyllur në kotece me gardhe ku bëjnë vezë dhe glasa pulat.
E drejta për të mos punuar me detyrim u kthye në papunësi.
Hapja drejt Evropës dhe integrimi i vonuar evropian u kthye në rrënim të ekonomisë shqiptare nga konkurrenca e mallrave të huaj në një doganë pa dyer dhe dritare.
Kthimi i pasurive të familjeve u kthye në një thërmim kapitalesh në dhjetra duar brenda një familjeje dhe paratë u bënë rrushekumbulla.
Rikthimi i pronave u bë selektiv në duart vetëm të atyre që kishin pushtet, të tjerët morrën brrylin.
Emigrimi i remitancave u kthye në çmime super të larta dhe në boshatisje të vendit.
Reforma gjoja në arsimin e lartë dhe gjoja kërkimi shkencor u kthye në rendje pas titujve dhe pa asnjë investim në vend.
Partitë nga organizime politike u kthyen në vegla të kryetarëve për të dhunuar antarët dhe sidomos elitat politike që u kthyen në rrogtarë që lëpijnë të pasmet e shefave.
Pushteti lokal u bë më keq se komitetet ekzekutive të dikurshme ku kryetari është një vezir i vogël.
Dhe pa fund të gjitha proceset makro që nisën keq, u vazhduan shumë keq, dhe përfundojnë si mos më keq!
Shteti na mbante me bukë nga privatizimet. Tani që s’ka më asgjë ç’të shesë nuk prodhon dot më pasuri. Veç tendera që gjoja liberalizojnë për të hequr monopolin burokratik. Nga monopol i shtetit na çuan te monopoli i atyre që me tendera rrëmbejnë pasuritë publike dhe kthejnë mbrapsht te bamirësi, “non’daja”, nderin me nder!
Në shohim deputete dhe deputetë që për turp bëjnë si zëvendësministra në shërbim të qeverisë, gjoja në inspektime në terren, në vend të bëjnë ligje alternative dhe të ushtrojnë detyrën për të cilën paguhen!
Po nuk u kuptua se përse u shndërrua i gjithë “ari” në bajgë, do vazhdojmë të tjerrim lesh dhe gjithçka do të jetë monopol, qeverisja, opozita, ekonomia, dhe ne do të vazhdojmë të budallepsur në rrugët e historisë.
Do të dëgjojmë përralla gjoja shernaja në Kuvend, dhe dokrra në emisionet e darkës dhe sifilatë mode në vend të politikës.
