Last Updated on 17/04/2026 by Anisa
Ish-deputeti Dashamir Shehi ka komentuar zhvillimet politike në Hungari, duke i lidhur ato me realitetin shqiptar dhe nevojën për ndryshim në skenën politike në vend.
I ftuar në emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV, Shehi u ndal te fitorja e opozitarit Magyar Péter ndaj ish-kryeministrit Viktor Orbán, pas 16 vitesh në pushtet, duke theksuar se një skenar i ngjashëm mund të ndodhë edhe në Shqipëri, por vetëm në kushte të caktuara.
Sipas tij, ndonëse ka elementë nga zgjedhjet hungareze që mund të vlejnë edhe për Shqipërinë, diferencat në traditë dhe nivel emancipimi mes dy vendeve janë të dukshme. Megjithatë, ai theksoi se edhe në Shqipëri ekziston një pakënaqësi e akumuluar ndaj qeverisjes aktuale.
“Shehi nënvizoi se ndryshimi nuk mund të vijë nëse alternativa mbetet e kufizuar vetëm te Partia Demokratike dhe Sali Berisha. Sipas tij, përmbysja e pushtetit kërkon figura të reja politike që të frymëzojnë besim dhe të tërheqin mbështetje më të gjerë nga qytetarët.
Ai u shpreh se shpresa qëndron në krijimin e një alternative të re politike, që të mos jetë e lidhur me përplasjen tradicionale mes Edi Rama dhe Berishës. Në këtë kuadër, Shehi sugjeroi se Shqipërisë i duhen “2-3 figura si Magyar”, që të sjellin një frymë të re në politikë.
“Ka elementë nga zgjedhjet e Hungarisë që në Shqipëri janë të vlefshëm. Ore a është populli shqiptar, a e ka këtë shkallë emancipimi? Hungaria ka tjetër traditë, rezistencë ndaj të keqes.
Edhe këtu mund të ndodhë, se edhe këtu është tepruar aq shumë, por duhet një alternativë. Atje doli një i ri.
Ti thua e djathtë, e majtë. Këtu nuk ka të djathtë dhe të majtë.
Unë këtu e kam shpresën, që këtë që është në Tiranë, qytetarët të thonë të ikë ky, dhe ta thonë edhe nga e majta. Nëse shpresa do të jetë vetëm PD me Berishën kjo ka marrë fund.
Duhet të dalin 2-3 Magyar të rinj, siç ka ndodhur atje. Të ikë ky që është në pushtet, por ka me këtë formulë që të ketë faktorë të rinj në fushë. Nëse vazhdon lufta Rama-Berisha, është kot”– tha Shehi.
