Vjosa Osmani ka përkujtuar viktimat e masakrave të ndodhura në Poklek dhe Çikatovë, duke i cilësuar ato si dëshmi të një gjenocidi të kryer gjatë luftës në Kosovë.
Në deklaratën e saj, Osmani solli në vëmendje rastin tragjik të Liri Muqollit, e cila ishte vetëm 6 muajshe kur, sipas saj, së bashku me 53 anëtarë të familjes – kryesisht gra dhe fëmijë – u ekzekutuan dhe më pas u dogjën.
“Liri kishte emrin, por lirinë nuk e arriti kurrë,” u shpreh Osmani, duke theksuar dhimbjen dhe simbolikën e kësaj historie.
Ajo shtoi se çdo tentativë për të mohuar se në Kosovë është kryer gjenocid duhet të përballet me realitetin e këtyre vendeve të kujtesës.
“Kushdo që thotë se në Kosovë nuk është kryer gjenocid, le të shkojë në Poklek e në çdo pjesë të Kosovës. Dëshmitë e holokaustit të kryer në Kosovë janë akoma të freskëta,” tha presidentja.
Deklarata u bë në kuadër të përvjetorit të masakrave në Poklek dhe Çikatovë, ku Osmani theksoi se kujtimi i viktimave duhet të mbetet i përhershëm.
“Në këtë përvjetor të masakrave në Poklek e Çikatovë, kujtojmë e nuk harrojmë kurrë. Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të lirisë,” përfundoi ajo.
Reagimi i plotë:
