Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, duke u ndalur te reforma territoriale dhe debatet që po zhvillohen në kuadër të dëgjesave publike në terren.
I pyetur për kritikat e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili ka kundërshtuar mënyrën se si qeveria po i qaset pushtetit vendor, duke pretenduar se po cenohen kompetencat e bashkive – përfshirë çështje si administrimi i ujësjellësve apo dhënia e lejeve për stacionet e plazhit – Demo theksoi se procesi i konsultimit publik është pikërisht hapësira ku këto shqetësime duhet të trajtohen.
Sipas tij, reforma territoriale mbetet një proces i hapur diskutimi, ku synimi kryesor është gjetja e ekuilibrit mes përgjegjësive të pushtetit vendor dhe rolit të institucioneve qendrore.
“Unë besoj që ka shumë për të diskutuar. Reforma territoriale është aty për të adresuar elementët që kanë të bëjnë me bashkitë. Funksionet e bashkive janë shumë të rëndësishme dhe duhet të merren në konsideratë. Kuptohet që qeveria qendrore nuk do bjerë dakord gjithmonë me bashkitë, unë kam qenë vetë kryetar bashkie”, u shpreh Demo.
Ai shtoi se reforma synon të përmirësojë funksionimin e njësive vendore dhe të adresojë problematikat e krijuara ndër vite, që prej zbatimit të reformës së vitit 2015.
“Më vjen mirë që ky proces ka filluar. Mendimet e të gjithë aktorëve, duke filluar nga kryetarët e bashkive, duhet të dëgjohen. Reforma është aty për të adresuar çështjet që lidhen me bashkitë. Funksionet e tyre janë shumë të rëndësishme dhe duhet të forcohen”, theksoi ai.
Duke iu referuar edhe reformave sektoriale, përfshirë atë të ujësjellësve, Demo nënvizoi se ka qëndrime të ndryshme, por qëllimi final mbetet forcimi i pushtetit vendor.
“Ne duhet të garantojmë që bashkitë, me kompetencat e tyre të deleguara apo që burojnë nga ligji, të jenë më të forta. Javët në vijim dhe axhenda e komisionit, që përmbyllet deri në fund të majit, do të sjellin shumë dëgjesa me kryetarët e bashkive”, përfundoi ministri.
