Nga Ben Andoni
SPAK, BKH, ILDKPKI, SHISH, AKSH, KKK, AMA etj., e sa shumë të tjera vallë për të cilat sot një njeriut të zakonshëm i duhet një fjalor sqarues. Në modelin amerikan shumë nga institucionet me emra të stërgjatë, i kemi thjeshtuar me nistoret e tyre. Kryeson SPAK që me masën e arrestimeve dhe akuzave të trand, por edhe të jep pak besim (Besimi të bie kur kujton malin me dosje që po shtohet në Gjykata); të ngjall kërshëri BKH-ja dhe punën e saj të vështirë për kapjen e të akuzuarve dhe përballjet me policinë; ILDKPI-ja që duhet të merret me konfliktin e interesave dhe deklarimin e pasurive është vegjetative dhe shpesh me supet e ngritura “naivisht”; SHISH, vetëm ky institucion me sa duket nuk e di se ç’bëhet me katrahurën e korrupsionit dhe hajdutëve në Shqipëri; KKK (Koordinatori Kombëtar Kundër Korrupsionit), kujdes mos ngatërrohet me Ku Klus Klanin e famshëm amerikan është Pozicion që udhëheq politikat antikorrupsion në nivel ekzekutiv, por që çuditërisht nuk e zbut dot këtë lum korrupsion ose mjedisin e peshkaqenëve (kjo metaforë iu tha një biznesmenë kur u fut aty ku nuk duhej); AKSH është institucioni (duhet të ishte pas SPAK i krenarisë së zhvillimit), historia e fundit e të cilit na nguci për këtë shkrim. Shefja e tij, sot, gjendet e akuzuar dhe nga imazhi i përkorë që përcolli kryeministri i vendit për shtëpinë me qira dolën mëtimet e organeve të drejtësisë për të se kishte pasuri që të shkaktonin kokëdhimbje. Po a janë vallë konfiskimet e fundit të SPAK-ut, një përqindje e mirë e pasurive reale të grupit të AKSHI-t.
Gazetarë të ndryshëm, që pretendojnë se kanë burime dhe lidhje specifike, po tregojnë se këto nuk janë as 5% e pasurive të tyre! Kjo në një farë mënyre e tregon dhe e shfaq qetësinë dhe mungesën e reagimit të grupit të akuzuar, të cilët fshihen në jo pak raste nga prestanomet.
Por, sa e madhe është sasia e konfiskimit nga ajo që referohet me sekuestrime, për këtë mbase do duheshin kalkulime të tjera. Kur kohë më parë ish zv\kryeministri Ahmetaj nga arratia referonte për skandale dhe jepte indiciet për këto “teprime” (lexo: Garguantanizma) dhe një administratë të pashpirt që po pasurohej nuk merrej aq parasysh, përveç taborëve politikë anti-Ramë që e sfumonin me kundërakuzat. Tek e fundit edhe ai ishte pjesë dikur dhe kjo është e vërteta e hidhur.
Së fundmi, reagimi i ish-Kryetares së Parlamentit Spiropali e konsakroi atë që tashmë dihet për forcën e saj politike: Korrupsioni në Shqipëri është ngritur në një sistem që nuk do t’ia dijë për asgjë dhe tentakulat e tij janë të frikshme. Kujtojmë historinë e verës së shtrenjtë që duhej të sekuestrohej dhe që pak orë më pas nuk u gjet!! Kujto pasuritë e zyrtarëve dhe emrat e prestanomeve të shumtë që qarkullojnë në shoqëri me pasuritë e VIP-ave, me anë të cilëve mund të bëhet një doktoraturë e tërë, atëherë frikësohesh dhe tutesh.
E parase Akronimet qoftë të pushtetit që na nxjerrin peshkaqenët në shumë raste janë të paafta të na i zbulojnë dhe demaskojnë qysh në hershmëri dhe, e dytanga pushteti i disa prej tyre syresh. Vetëm AKSH, po të merret në shqyrtim, e ka trandur shtetin shqiptar dhe moralin e tij deri në skajshmëri. Kurse shteti me ligjet e tij dhe organizmat e pafundme me akronimet bajate i ka dhënë shtrat të qetë korrupsionit. Atë që Tacitus në “Analet e Romës Perandorake”, e thjeshtoi me një fjali të vyer: “Sa më i korruptuar shteti, aq më të shumta janë ligjet e tij”.
