Jo të gjitha ftohjet janë të këqija. Një studim i fundit sugjeron se përgjigjet imunitare të shkaktuara nga infeksione virale, si ftohja, mund të krijojnë një mburojë natyrale në mushkëri, duke penguar përhapjen e qelizave tumorale.
Një eksperiment i kryer te minjtë, tregoi se infektimi me virusin respirator sincicial (VRS) uli ndjeshëm formimin e metastazave në mushkëri.
Një ekip shkencëtarësh në Imperial College London administroi virusin respirator sincicial (RSV) përmes kanaleve nazale të 23 minjve dhe u dha 16 minjve të tjerë një tretësirë të thjeshtë fiziologjike. Të nesërmen, të gjithë minjve iu injektuan qeliza të kancerit të gjirit, një lloj kanceri që mund të metastazohet lehtësisht në mushkëri.
Pas një muaji, minjtë e infektuar me virusin kishin zhvilluar 65-70 përqind më pak noduse tumorale në mushkëri sesa grupi tjetër.
Megjithatë, noduset ishin të së njëjtës madhësi në të dy grupet, që do të thotë se sapo hyjnë në mushkëri, qelizat tumorale shumohen me të njëjtën shpejtësi dhe prania e një infeksioni të vazhdueshëm nuk e ndryshon ndjeshëm përhapjen e tyre.
Roli kryesor në këtë proces i atribuohet interferoneve të tipit I, proteina që prodhohen nga organizmi për të luftuar viruset. Këto substanca aktivizojnë mekanizma mbrojtës në indet e mushkërive, përfshirë prodhimin e proteinës galectina-9, e cila ndihmon në frenimin e zhvillimit të tumorit.
Studiuesit arritën të riprodhojnë këtë efekt edhe pa infeksion viral, duke administruar interferone direkt te minjtë, çka çoi në reduktim të mëtejshëm të metastazave.
Megjithëse bëhet fjalë për një studim paraklinik dhe ende larg aplikimit te njerëzit, gjetjet hapin rrugën për zhvillimin e terapive të reja që synojnë të forcojnë mbrojtjen natyrale të mushkërive kundër përhapjes së kancerit./ET
