Ozgur Gökçe, vëllai i kuzhinierit të njohur Nusret Gökçe (Salt Bae), është vënë në pranga në Turqi, në kuadër të një hetimi për veprimtari të paligjshme që lidhen me prostitucionin.
Sipas autoriteteve, ai akuzohet për ndërmjetësim në prostitucion, përfshirë edhe raste që lidhen me të mitur. Hetimi është zhvilluar nga Prokuroria e Küçükçekmece, me përfshirjen e strukturave kundër krimit të organizuar.
Nga verifikimet e kryera rezulton se një grup personash organizonin dërgimin e grave, përfshirë edhe shtetase të huaja, në banesa dhe hotele përmes komunikimeve në aplikacione mobile. Gjithashtu, dyshohet se përfitimet financiare nga kjo veprimtari kalonin përmes llogarive bankare të personave të ndryshëm, me qëllim fshehjen e origjinës së parave.
Hetimet financiare zbuluan se gjatë vitit të fundit janë qarkulluar rreth 15 milionë euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga kjo aktivitet i paligjshëm.
Në kuadër të operacionit, më 17 prill, policia ndërhyri njëkohësisht në disa qytete, përfshirë Stambollin, Samsunin, Diyarbakirin dhe Ankaranë, duke kryer kontrolle në 14 adresa të ndryshme. Si rezultat, u ndaluan 13 persona.
Nga të arrestuarit, shtatë u lanë në burg, ndërsa gjashtë të tjerë u liruan nën masa sigurie. Mes personave që mbetën në paraburgim është edhe Ozgur Gökçe./mxh
