Gjatë një koncerti të mbajtur në Ekuador, këngëtarja e njohur italiane Laura Pausini ka kaluar një moment të papritur, duke u detyruar të ndalojë performancën për shkak të një shqetësimi shëndetësor.
Në praninë e mijëra fansave, artistja hasi vështirësi në frymëmarrje, çka bëri që të kërkonte menjëherë asistencë mjekësore dhe të tërhiqej për disa çaste nga skena.
Pas një ndërprerjeje të shkurtër, Pausini u rikthye përpara publikut, këtë herë duke përdorur një maskë oksigjeni, pa e fshehur situatën nga fansat.
Megjithatë, ajo arriti ta menaxhojë momentin me qetësi dhe humor, duke ndërvepruar me publikun dhe duke marrë mbështetje të madhe përmes duartrokitjeve.
Ngjarja është bërë virale në rrjetet sociale, ku shumë e kanë vlerësuar reagimin profesional dhe transparencën e artistes përballë një situate të pazakontë./mxh
