6 Maj 1856: Babai i Psikoanalizes njeriu që zbuloi errësirën e mendjes

Nga Leonard Veizi
Në Europën e shekullit XIX, njeriu besonte se ishte zot i fateve të veta përmes logjikës. Por, më 6 maj 1856, në Freiberg lindi ai që do të bëhej arkitekti i një harte të re të qenies: Sigmund Frojd…
…Ai ishte njeriu që guxoi të thyente heshtjen e salloneve borgjeze, duke dëshmuar se poshtë petkut të qytetërimit fshihej vrulli i pashpjegueshëm i instinkteve. Me mendjemprehtësinë e një arkeologu dhe ftohtësinë e një mjeku, Frojdi çmontoi mekanizmin e vetëmashtrimit njerëzor, duke na lënë si trashëgimi një hartë ku errësira nuk përbënte më frikë, por një territor që priste të emërtohej. Ai nuk ndryshoi vetëm mjekësinë e psikës; ai ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si ne e shohim botën përmes syve të shpirtit.
Nga stetoskop te shpirti
Mjek në profesion, por filozof në guxim, Frojd e kuptoi herët se anatomia e trupit ishte vetëm sipërfaqja. Në Vjenën e tij laboratorike, ai zbuloi se nën “unë”-in tonë të sjellshëm fshihet një univers i egër, i pashtruar dhe shpesh i frikshëm: e pavetëdijshmja. Ai nuk kërkonte të na qetësonte me ca fjalë të oërgjithshme si një dozë valiumi; ai kërkonte të na zbërthente.
Anatomia e betejës së brendshme
Duke prezantuar trinomin Id, Ego dhe Superego, Sigmund Frojd e ktheu mendjen njerëzore në një fushëbetejë. Ai na tregoi se:
Ëndrrat nuk janë rastësi, por mesazhe të koduara të dëshirave tona më të thella.
Frikërat tona janë thjesht hije të konflikteve të pazgjidhura të fëmijërisë.
Arsyeja është shpesh vetëm një avokat që mbron krimet e instinktit.
Një pasqyrë e pa mëshirëshme
Sot, figura e Sigmund Frojd-it mbetet një udhëkryq admirimi dhe kritike. Por, pavarësisht nëse pajtohemi me teoritë e tij, ne të gjithë flasim “gjuhën” e tij. Kur përmendim “gabimet frojdiane”, “traumat” apo “reprimimin”, ne arrijmë të pranojmë trashëgiminë e tij.
Në mesin e shekullit XIX, më 6 maj të vitit 1856, nuk lindi thjesht një njeri që kur u rrit u formua si mjek. Lindi një epokë e re ku njeriu, për herë të parë, pati guximin të zbriste me qiri në dorë në bodrumet e errëta të mendjes së tij. Dhe kështu Sigmund Frojd nuk na dha paqen e kërkuar prej shekujsh, thjesht na dha vetëdijen.
