Last Updated on 05/05/2026 by Monika
Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Servet Pëllumbi njihet si një prej figurave, që ka luajtur rol kryesor në zhvillimet politike të vendit që prej fillimeve të tranzicionit. Ai ka pasur një karrierë të gjatë politike në Partinë Socialiste dhe Kuvendin e Shqipërisë. Pëllumbi drejtoi Parlamentin nga viti 2002-2005.

Servet Pëllumbi është dekoruar nga presidenti Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Pëllumbi, i cili ka mbajtur dhe postin e sekretarit të Përgjithshëm të PS-së njihet dhe si ideolog i kësaj force politike.
Servet Pëllumbi ka lindur në Korçë dhe pas viteve ’90 ai ka kandiduar në këtë zonë elektorale. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut dhe është titulluar atje doktor i shkencave në Letërsi.
Nga viti 1960 – 1963, Pëllumbi ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977. Për gati tre vjet ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës.
Ndryshimet demokratike në vitin 1990, e pozicionuan Pëllumbi në postin e nënkryetarit të PS, post që e mbajti deri në vitin 1996. Ai ka udhëhequr fushatën e socialistëve, për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare.
Servet Pëllumbi ishte dhe autor i disa librave me përmbajtje politike si “Dritëhije të tranzicionit”, “Të mendosh ndryshe”, “Sprova në sociologjinë politike”, “Gjurmime sociologjike”, “Edhe politika do moral”, “Pluralizmi politik : përvojë dhe sfidë”, “Bashkëbisedim për politikën, (Libri 1)”, “Demokracia dhe zëri i moralit”, “Globalistika : refleksione filozofike për një epokë”, “Filozofia e aktualitetit”, “Fjalor filozofik”, “Bashkëbisedim për politikën”, “Integrimi dhe nacionalizmi”, “Etikokracia : refleksione mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë”, “Kultura filozofike dhe misticizmi : (vlera & antivlera)”, “Përmbysja e Komunizmit”./mxh
