Një përgjim ambiental i Andrea Sempio-s po interpretohet nga hetuesit italianë si një element me rëndësi në vijimin e hetimeve. Sipas mediave italiane, ai ndodhej vetëm në automjet kur ka folur për videot intime të Chiara Poggi-t që pretendon se kishte parë.
Në praktikën hetimore nuk mungojnë rastet kur persona të dyshuar apo nën hetim, duke menduar se nuk po dëgjohen, kanë folur me veten dhe kanë nxjerrë detaje komprometuese. Një rast i njohur është edhe ai i serial killer-it amerikan Ted Bundy, i cili sipas dëshmive zhvillonte monologë të gjatë me zë të lartë për krimet e tij.
Megjithatë, specialistët e shëndetit mendor sqarojnë se të folurit me veten nuk duhet parë automatikisht si shenjë faji apo çrregullimi psikologjik.
Psikiatri Claudio Mencacci, ish-drejtor i Neuroshkencave dhe Shëndetit Mendor në Milano, shpjegon se ky fenomen quhet “dialog i brendshëm i eksternalizuar”.
“Personi verbalizon me zë të lartë mendime, emocione apo skenarë të ndryshëm. Është një sjellje shumë e zakonshme dhe jo patologjike”, shprehet ai.
Sipas ekspertit, njerëzit përdorin dialogun me veten për të ripërpunuar ngjarje të së kaluarës, për të menaxhuar tensionet emocionale apo për të përgatitur situata të ardhshme.
“Ky mekanizëm ndihmon në qartësimin e ideve, kontrollin e emocioneve dhe reduktimin e impulsivitetit”, thekson Mencacci.
Ai shton se ideja se ndjenja e fajit çon automatikisht në “rrëfim ndaj vetes” është një thjeshtëzim dhe jo një e vërtetë shkencore.
“Nëse një person e di që është nën hetim, sjellja e tij mund të jetë edhe pjesë e një përgatitjeje mendore për situatën procedurale”, shpjegon psikiatri.
Eksperti nënvizon gjithashtu rëndësinë e kontekstit, duke theksuar se makina shpesh perceptohet si një hapësirë private dhe e sigurt, ku njerëzit ndihen më të lirë të flasin me veten./mxh
