Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, në një intervistë për Klan News, ka komentuar protestat e Partisë Demokratike, për të cilat u shpreh se dhuna është e papranueshme. Sipas saj, edhe në Francë, nëse manifestimet kthehen të dhunshme, organizatorët distancohen menjëherë nga dhuna.
“Ju e dini se, zakonisht, nuk e komentoj politikën e brendshme shqiptare, por do duhet të them… E drejta për të manifestuar është e njohur për të gjithë, dhe në Francë kjo respektohet shumë, por dhuna është absolutisht e papranueshme! Manifestimet në Francë, organizatorët marrin masa që të shmangin këtë lloj dhune. Ndodh që të ketë njerëz të dhunshëm, atëherë organizatorët distancohen prej tyre dhe nuk i jep legjitimitet dhunës! Në këtë moment, Shqipëria duhet të mendojë për të ardhmen e saj europiane dhe këto imazhe të fokalizuara i bëjnë keq imazhit të saj në Europë. Mesazhi që duhet përcjellë është se dhuna nuk ka vend në protesta”, tha ambasadorja.
Ajo foli edhe per marrëdhëniet mes Parisit dhe Tiranës, por edhe procesin e integrimit europian.
“Dy vendet tona po ndërmarrin hapa për bashkëpunime në disa fusha”, u shpreh ajo. “Ekspertiza franceze në këtë fushë është ekspertizë ekselence, sepse shumë pjesë të Kodit aktual shqiptar janë frymëzuar nga kode të ndryshme franceze. Jemi të lumtur të sjellim ekspertizën tonë, duke bashkëpunuar më Shkollën e Magjistraturës”, shtoi Suard.
– Është diskutuar së fundmi edhe për një bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, si do të përfitojë Shqipëria?
Faktikisht janë dy institucione shumë të rëndësishme në fushën e drejtësisë dhe rendit publik. Policia shqiptare i ka të gjitha mjetet që të punojë me ta. Janë dy dosje të Sky ECC që u shfrytëzuan në sajë të këtij bashkëpunimi. Ka edhe të tjera, kështu krijohen ekipe hetimore të përbashkëta, shkëmbime informacionesh e operacionesh që jep rezultate në terren.
– ‘Bashkim forcash’, por në cilat fusha të kriminalitetit?
Kemi pasur tre ekipe të përbashkëta hetimore, në fusha të ndryshme. Që në vjedhjet që bëheshin në Francë, shitja e produkteve të vjedhura në Shqipëri, tek mashtrimi informatik apo te trafikimi i lëndëve narkotike”, u përgjigj Suard, duke veçuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, të cilat i quan “boshtet kryesore të bashkëpunimit”.
– Sa i takon ecurisë së negociatave Shqipëri-BE, tha se “vrulli i reformave është i veçantë”.
Si te reforma në drejtësi ashtu edhe te hapja e grup-kapitujve. Tani duhen mbyllur, patjetër që reforma në drejtësi është thelbësore, por nuk është kriteri kryesor. Duhet që reformat të ecin në të gjitha fushat. Kemi besim të aftësitë e Shqipërisë që të aderojë në Bashkimin Europian sa më shpejt të jetë e mundur. Jam e habitur nga disa komente që thonë se negociatat janë bllokuar. Asgjë nuk është bllokuar, është proces normal, ku secili duhet të japë besim te tjetri. Mund të thuhet që po merr kohë, por i rëndësishëm është rezultati. Jemi afër rezultatit.
– Po çfarë mendimi ka për administrimin e pasurive kriminale në vendin tonë?
Të gjithë jemi të bindur se përballë krimit të organizuar, dënimi dhe burgosja e këtyre personave nuk mjafton sepse shumica e tyre pranojnë ta bëjnë burgun sepse pastaj përfitojnë të mirat e bëra me aktivitet kriminal. Pasuritë duhen identifikuar dhe pastaj të konfiskohen. Këto përfitime të paligjshme, nga kjo pikëpamje kemi eksperiencë shumë të vjetër, kemi një agjenci të specializuar dhe kemi eksperiencë të fortë sa i përket përfitimit në kriptomonedha.
Duhet të punojmë me miqtë tanë shqiptarë, ministri ishte impresionuar nga një proces që është përdorur në Shqipëri, që është ripërdorimi i disa pasurive në përfitim të familjeve të viktimave, të oficerëve apo agjentëve që kanë humbur jetën duke luftuar krimin.
