Last Updated on 13/05/2026 by Kesjana
Nga Grigels Muçollari
Sipas propagandës së qeverisë, Brukseli është shtangur nga ritmi marramendës i reformave shqiptare. Po të dëgjosh Edi Ramën, në korridoret e Bashkimit Europian nuk po marrin ende veten nga shpejtësia, arritjet dhe “sukseset historike” të kësaj qeverie në procesin e integrimit.
Por nëse është vërtet kështu, si shpjegohet që ende nuk ka një përgjigje për grup-kapitullin e parë, atë të themelit, që lidhet me shtetin ligjor dhe njihet si IBAR?
Si ka mundësi që ky proces vetëm shtyhet dhe, sa herë mblidhet Këshilli, dalin pyetje dhe shqetësime të reja?
Kjo histori me integrimin europian është bërë tashmë një paradoks politik më vete.
Kur bëhet fjalë për lavdi, kemi përballë një krekosje të pafundme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Krijohet përshtypja sikur integrimi është një sipërmarrje personale e rilindasve, një vepër ekskluzive e tyre, ku askush tjetër nuk ka kontribuar kurrë.
Ata paraqiten si heronj të një fronti të madh historik, që punojnë me sakrificë dhe vetëmohim për “vatanin europian”.
Por sapo procesi ngec, vonohet apo has pengesa, integrimi nuk qenka më pronë e qeverisë. Papritur bëhet përgjegjësi kolektive. Dhe si gjithmonë, fajtorja e gatshme del opozita.
Madje edhe fëmijët e lagjes, kur kapen në gabim, tregojnë më shumë racionalitet para se të nisin të tregojnë gishtin te të tjerët.
Ka një pyetje të thjeshtë që qeveria nuk i përgjigjet dot: nëse janë bërë të gjitha reformat, nëse çdo detyrë është përmbushur dhe nëse Shqipëria po ecën me “ritëm historik”, atëherë pse ka kaq shumë nervozizëm ndaj kritikave?
Cila kritikë mund të zbehte suksese kaq “titanike”?
Me të njëjtën logjikë absurde u shfaq sot edhe ministrja Dhuka. Kur u pyet në Parlament nëse rasti Balluku dhe votimi për mbrojtjen politike të saj kanë ndikuar në shqyrtimin e grup-kapitullit të parë, ajo deklaroi se nuk komenton çështje që janë nën hetim.
Por këtu nis paradoksi tjetër.
Kur bëhet fjalë për të shmangur përgjegjësinë, çështja qenka “nën hetim” dhe askush nuk komenton. Ndërsa kur vjen momenti për ta mbrojtur politikisht në Kuvend, çështja nuk qenka më juridike, por politike e partiake, dhe 82 vota rreshtohen pa asnjë hezitim kundër drejtësisë.
Paradokset e integrimit janë bërë tashmë të papërballueshme.
Ashtu si edhe sjellja qesharake e një qeverie që kërkon të regjistrojë çdo sukses në emrin e Edi Ramës, ndërsa çdo dështim t’ua faturojë të tjerëve./kb
