Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë ka reaguar lidhur me incidentin në Skenderaj, duke dënuar sulmin fizik ndaj kryetarit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani.
Kurti tha se Mehani është sulmuar teksa ndodhej në një lokal së bashku me aktivistë të tjerë të partisë.
“Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë teksa pinte kafe me Arjeta Fejzën dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e dënon këtë sulm qyqar dhe të papranueshëm”, ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se incidente të tilla nuk do ta ndalin Lëvizjen Vetëvendosje nga aktiviteti politik në asnjë komunë të vendit, përcjell Telegrafi.
“Veprimet e tilla nuk na trembin dhe nuk tërhiqemi nga gara në asnjë komunë”, u shpreh ai.
Kurti gjithashtu i bëri thirrje Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj personave përgjegjës për sulmin.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë masat dhe veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, tha Kurti.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka reaguar për incidentin në Skenderaj ku pretendohet për sulm fizik ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani.
Ajo e ka vlerësuar këtë sulm ‘kriminal e banditesk’.
“Ky akt përveçse është i papranueshëm, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe funksionimit të shtetit të Kosovës si dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Sulme dhe sulmues të tillë i njohim mirë. Synojnë që fushata zgjedhore të jetë e përcjellë nga dhuna, frikësimi dhe logjika e forcës, të cilat nuk kanë vend në Republikën tonë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Sipas saj, këto janë metoda primitive të betejës politike të atyre që shtetin e shohin si pronë private dhe sundimin e ligjit e shtetin e së drejtës si padrejtësi dhe provokim.
“Pres që institucionet e rendit të reagojnë menjëherë dhe pa kompromis. Autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë pa asnjë vonesë. Kjo Republikë e ky shtet nuk i nënshtrohet dhunës. Pikë”, ka shtuar Gërvalla.
“Banditve dhe cubave nuk ua kemi frikën. Shërim të shpejtë miku ynë Hysni Mehani!”, ka shkruar në Facebook ish-deputeti i LVV-së, Artan Abrashi.
“Sulmi ndaj zëvendësministrit të Republikës së Kosovës, Hysni Mehani është akt qyqar dhe kriminal dhe si i tillë duhet të trajtohet nga organet e drejtësisë”, ka shkruar kryetari i Mitrovicës Faton Peci./mxh
