Last Updated on 19/05/2026 by EL
Jakin Marena
Lideri i opozitës, Sali Berisha, asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të pranojë humbjen në zgjedhje përballë rivalit politik! Kurrë s’ ka deklaruar me gojën plot se humbi në një garë elektorale, për të uruar kundërshtarin politik për fitoren! E ka problem këtë! Gjithnjë ia ‘vjedhin’ fitoren!
Dhe në vitin 2013, kur mori mbi 1 milion vota kundër dhe u rrëzua me turp nga pushteti, pas 8 vitesh si kryeministër në një qeverisje të mbushur me korrupsion të përgjakshëm dhe vrasje politike në mes të bulevardit, korrupsion masiv dhe krim, bëri sikur u dorëhoq përmes lotësh nga posti i kreut të PD, por në realitet nuk e pranoi kurrë se ishte ‘rrahur’ keq nga rivali politik!
Qëndroi në heshtje, pas kuintave, duke lëvizur fijet e drejtimit të PD, përmes të emëruarit në krye të kësaj partie Lulzim Basha, për të shpikur në këtë mënyrë ‘qytetarin dixhital’, përmes të cilit akuzonte mes të tjerave, qeverinë e majtë dhe kryeministrin Edi Rama se ia kishin vjedhur votat dhe në vitin 2013! Pavarësisht se fitorja ishte tepër e madhe për t’u vjedhur, siç pretendon ai!
Në të gjitha humbjen e shënuara nga opozita, në drejtimin formal të Bashës, Berisha ka pasur rolin e tij primar, që nga zgjedhja e kandidatëve për deputetë, përjashtimi i figurave kryesore të PD, e deri tek protestat e dhunshme dhe djegia e mandateve, bojkotin e zgjedhjeve vendore, gjithnjë nën argumentin se Rama i ka tjetërsuar votat, dhe se fitorja e opozitës është vjedhur!
Vetë nuk shkonte në Bruksel për të denoncuar zgjedhjet, duke i cilësuar si të parregullta dhe të vjedhura, por ama dërgonte të gjithë ‘zarat’ e tij, grupe grupe për të shfrytëzuar çdo moment të mundshëm e për të nxirë Shjqipërinë! Duke qënë se ia dinin dhe ‘numrin e këmbës’ askush në Uashington dhe Bruksel nuk e vinin në hesap atë që thonin të dërguarit e Berishës por dhe vetë ai, derisa në fund të herës, pasi e braktisën në zyrën e tij private afër RTSH, u ‘plasi’ shpirti dhe në SHBA u vendos t’ia mblidhnin në një dosje të gjitha bëmat, duke e shpallur ‘non grata’ familjarisht për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë!
Pak kohë më pas, e shpallën dhe britanikët ‘non grata’ për tre motivet që evidentoi Uashingtoni, por i shtuan dhe një të katërt duke e gremisur fare, atë të bashkëpunimit me elementët kriminalë për të shantazhuar dhe dominuar PD-në! Pas një sërë peripecish, që nga përjashtimi e deri tek rimarrja e partisë me vulë e logo, teksa dëboi Bashën, ‘birin bukëshkalë politik’, Berisha ia doli që të shënonte dhe ai humbjet e veta rrënuese të radhës, në krye të PD përballë Ramës, më të fundit ato parlamentare të 11 majit të vitit të kaluar, teksa opozita shënoi një humbje me minus 300 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kur kjo opozitë drejtohej nga Basha!
Dhe si gjithnjë, Berisha nuk i është ndarë linjës Tiranë-Bruksel, Tiranë-Strasburg dhe disa herë dhe Tiranë-Berlin, për të denoncuar atë që ai e quan ‘narkoshteti i Ramës i krijuar për të vjedhur vota, në kurriz të opozitës’! Berisha nuk lë asnjë rast pa shkuar në kancelaritë evropiane, vetëm apo me Albanën, herë e herë dërgon dhe Gaz Bardhin me Jorida Tabakun, duke kapur deputetë apo eurodeputetë nëpër korridoret e Brukselit, Strasburgut apo Berlinit, madje deri më Brazilin e largët në një takim partish të djathta, për të treguar se me Edi Ramën nuk fitohet kurrë me zgjedhje, pasi ai ia grabit votat opozitës! Demotivon dhe demokratët kështu, por Berisha s’do që t’ia dijë, kërkon të justifikojë humbjen dhe të gjejë alibinë për humbjen e radhës!
Anipse të gjitha raportet ndërkombëtare, duke filluar nga ato të OSBE-së e deri tek raportet e Komisionit Evropian apo Parlamentit Evropian, në funksion të integrimit të Shqipërisë në BE, i kanë vlerësuar maksimalisht zgjedhjet, kanë bërë dhe vërejtje dhe kanë dhënë rekomandime, i bëjnë dhe për zgjedhjet në vendet anëtare të BE, Berisha nuk ndalet së denoncuari atë që ai e quan ‘tjetërsim të rezultatit përmes blerjes së votave’! Një akt i pa vertetuar asnjëherë, as nga vetë monitoruesit e opozitës, as nga ndërkombëtarët dhe as nga këto OJQ-të që komandohen më shumë se gjysma nga Berisha e njerëzit e tij!
Dhe teksa Berisha nuk rresht së akuzuari kundërshtarin politik Rama se me të kryeministër nuk zhvillohen zgjedhje, teksa nuk lë rast pa dërguar letra e denoncime në kancelaritë evropiane se Rama po përgatitet të grabisë zgjedhjet e vitit të ardhshëm për pushtetin vendor, vetë ai, Sali Berisha, është tepër i zënë me përjashtimet e të gjitha kandidatëve për kryetar PD përballë tij në zgjedhjet e 23 majit, për të garuar i vetëm në ato që i quan ‘zgjedhjet më të ndeërshme në botë për kryetar partie, sipas parimit një anëtar një votë”! Kandidon vetëm përballë vetes, ndërkohë që Salianjin, Alesia Balliun, Kokalarin, Mereme Selen e Vladimir Mulajn, jo vetëm nuk i regjistroi si kandidatë, por dhe i denigroi, duke i përjashtuar dy të parët bashkë me mbështetësit, nga PD!
Por Berishës i rikthehet karma! Ndërsa dërgonte padi kundër Ramës në kancelaritë evropiane për zgjedhjet e para një viti dhe për ato që zhvillohen pas një viti, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, që dhe për Berishën nga radhët e PD të niseshin ankesa dhe padi drejt Brukselit dhe PPE-ve për shkatërrimin e zgjedhjeve brenda PD për postin e kryetarit, ku ankoheshin se Berisha e ka vrarë garën në këtë parti dhe ka shkelur demokracinë e brendshme me të dyja këmbët!
Kështu, Alesia Balliu, e cila u përjashtua nga gara për kreun e PD-së, u ka dërguar emaile dy figurave më me peshë në politikën europiane dhe ndërkombëtare, David McAllister, kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe Tina Mercep, nga IDU, për ‘farsën e 23 majit’ dhe zgjedhjen e Berishës pa rival dhe në kundërshtim me statutin e PD, kryetar! Balliu në email-et që u ka dërguar McAllister e Mercep, ka ngritur shqetësime serioze mbi situatën e brendshme në PD, duke akuzuar se kjo parti është “marrë peng” nga Berisha e rrethi i tij politik.
Balliu ka argumentuar se një forcë politike që aspiron të rikthehet në pushtet dhe të përfaqësojë standardet europiane, nuk mund të drejtohet nga një person i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. Ajo ka kërkuar vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë për degradimin e standardeve demokratike brenda PD. Sipas Balliut, një pretendent për kreun e PD nuk mund të zgjedhë vetë kundërshtarët që do të ketë përballë në garë, teksa ka denoncuar edhe përdorimin e partisë, në funksion të betejave personale të Berishës kundër SPAK-ut, si dhe ka ngritur pretendime për një klimë kontrolli, presioni dhe përjashtimi ndaj zërave kritikë në parti. Në emailin drejtuar zyrtarëve ndërkombëtarë, Balliu ka përmendur individë pranë Berishës, të cilët po përfitojnë politikisht dhe ekonomikisht në kurriz të demokratëve dhe frymës opozitare.
Por ‘paditë’ kundër Berishës në kancelaritë europiane nuk janë ndalur këtu! Ish-deputeti Ervin Salianji, edhe ky i përjashtuar nga gara për postin e kryetarit dhe nga PD nga ana e Berishës, madje dhe i akuzuar për lidhje me krimin pavarësisht se vetë Salianji bëri burg për PD, bëri dhe për hesapin e vet të kuptohemi, iu drejtua me një letër Presidentit të Partive Popullore Europiane, Manfred Weber, si dhe drejtuesve të partive kryesore të qendrës së djathtë europiane pjesë e PPE, mes tyre Kancelarit të Gjermanisë, Merz dhe kryeministrit të Greqisë, Mitsotakis.
Në këtë letër, Salianji nënvizon se bllokimi i garës për kryetar të PD, me Berishën kandidat të vetëm, sot 82-vjeçar që e ka drejtuar partinë për 36 vite dhe përjashtimi i tij pa një vendim zyrtar, por me pretekstin se është i vetë-përjashtuar, është simbol i mbylljes së partisë, që ndryshe, nga sa thotë, vetë demokratët që ka takuar kërkojnë rinovim të drejtimit të lidershipit.
Salianji nënvizon në letrën dërguar PPE-ve se “establishmenti i vjetër politik” po mbyll hapësirën e brendshme për garë, për shkak të interesave personale e për t’i rezistuar ndryshimit dhe këto prirje rrezikojnë të minojnë si frymën e rinovimit, ashtu edhe rrugën europiane të Shqipërisë. “Lënia ime jashtë garë nuk është çështje vetëm e një kandidimi individual, por mbrojtja e standardeve demokratike, pluralizmit të brendshëm dhe kredibilitetit institucional të partisë më të madhe opozitare në Shqipëri”, tha Salianji.
Ish deputeti dhe kandidati i përjashtuar i PD, evidenton shkeljen e hapur që i bëhet statutit të partisë, i cili parashikon qartë dorëheqjen e kryetarit pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme, pa mundësi rikandidimi të menjëhershëm. “Moszbatimi i kësaj dispozite ngre shqetësime legjitime lidhur me respektimin e rregullave demokratike të brendshme dhe llogaridhënien institucionale”, shkruan ish-deputeti në letrën e tij drejtuar PPE.
Pra iu rikthye ‘karma’ zotit Berisha! I cili deri në këto momente nuk ka lënë letër pa dërguar në Bruksel e Strasburg kundër Ramës e mazhorancës së PS, me akuza se i kanë vjedhur zgjedhjet, marrëzia arriti deri atje sa të deklaronte se i kanë vjedhur 30 mandate deputeti. Ndërsa këto ditë akuzat nga brenda PD për rrënim të zgjedhjeve në këtë parti, përjashtim të rivalëve nga gara përballë tij dhe kandidimi me veten për postin e kryetarit, kanë marrë dhenë, duke mbërritur në tavolinën e grupit më të madh parlamentar PPE-ve, shefit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe zyrtarëve të tjerë! Me një akuzë konkrete për Berishën, si rrënues të PD! Nuk e dimë se si Sali Berisha do të shkojë në Bruksel që të denoncojë Ramën për ‘grabitje të zgjedhjeve’, ndërkohë që në tavolinë ata në Bruksel kanë denoncimin e ish zyrtarëve të PD ndaj Berishës, për dhunim të demokracisë partiake, rrëmbim të postit të kryetarit dhe mbajtjen peng të PD deri në vdekje!
