Last Updated on 26/05/2026 by EL
Ervin Salianji do të vijojë takimet me demokratët në të gjithë vendin. Në një dalje për mediat, ish-deputeti i PD u shpreh se përjashtimi i mendimit ndryshe nuk duhet të jetë pjesë e demokratëve, duke theksuar se një forcë politike që nuk pranon konkurrencën brenda vetes nuk mund të pretendojë standarde demokratike.
“Ditën e premte do jem në takim me demokratët e Tiranës, do t’ju lajmëroj, pasi sallat e mëdha nuk na i jep regjimi, pasi ka hall se u mërzitet Doktori. Do vazhdojmë betejën për demokratët. Çdo gënjeshtër që bëhet për llogari të qeverisë është një gjë e ndyrë, e fëlliqur. Nëse kjo lëvizje e pengon 1 milimetër PD për të fituar, ta thonë; unë e kam kollaj të tërhiqem pasi unë s’jam peng”, tha Salianji.
Sipas tij, PD-ja kërkon standarde demokratike përballë qeverisë së Edi Rama, por nuk po i zbaton ato brenda strukturave të saj. Ai paralajmëroi se Partia Demokratike, më pak se një vit para nisjes së fushatës elektorale, duhet të reflektojë mbi mënyrën se si do t’u paraqitet qytetarëve si alternativë qeverisëse.
Salianji shtoi se PD ndodhet “në dëshpërim”, ndërsa përgjegjës bëri edhe kolegët demokratë që sot heshtin. Ai theksoi se beteja e tij nuk lidhet me interesa personale apo poste politike.
“Një parti që nuk pranon garën brenda vetes, nuk plotëson standardet. Ne kërkojmë standarde përballë Edi Ramës, por nuk i plotësojmë vetë ato. Kemi nevojë për një PD ku respektohen rregullat, ku gara është reale. Realiteti politik tregon refuzimin e Berishës nga demokratët. Ja ku është realiteti i faktuar, Berisha është i braktisur nga demokratët, ndaj nuk pranon garë. PD më pak se një vit nga sot, do të jetë në fushatë elektorale, por se di ca do i thotë elektoratit. PD duhet të rikthehet te standardet demokratike. Nëse duam që të bindim shqiptarët të demokratizojmë Shqipërinë, duhet që PD të demokratizojë vetveten. Një PD e hapur mund të kthehet si alternativë fituese. Kjo betejë nuk është betejë për një karrige. Nuk kam pasur asnjë problem për karrierën time”, tha ai.
Nga ana tjetër, ai publikoi fakte me video që tregojnë se Sali Berisha është “braktisur” në zgjedhjet e së shtunës nga një pjesë e madhe e demokratëve. Sipas Salianjit, çdo qendër votimi në çdo degë të PD ka qenë nën monitorim me kamera dhe siç thotë ai, nga pamjet është vërtetuar lehtësisht se pjesëmarrja ka qenë tejet e ulët.
Ai ka deklaruar gjithashtu se, sipas tij, rreth 80% e demokratëve janë kundër Sali Berishës, ndërkohë që shton se për zgjedhjen e tij në drejtimin e PD-së nuk ka pasur urime as nga partitë simotra, një fakt që ai e interpreton si mungesë mbështetjeje dhe izolim politik.
“Interesi im është që PD të jetë fituese, e nëse ne nuk reagojmë sot do të jetë shumë vonë nesër dhe cilido do të jetë përgjegjës,” është shprehur Salianji. Ai ka shtuar se ka informuar edhe faktorë ndërkombëtarë, përfshirë PPE-në, dhe ka folur për mungesë urimesh dhe mbështetjeje nga aktorët politikë europianë, të cilët sipas tij nuk pranojnë të legjitimojnë zhvillime që bien ndesh me standardet demokratike.
“Interesi im është që PD të jetë fituese, e nëse ne nuk reagojmë sot do të jetë shumë vonë nesër dhe cilido do të jetë përgjegjës. Ky është një fakt tanimë, po e lë prapë, shikoni se sa hyjnë dhe dalin. Do t’ju nis videot e monitorimit të qendrave të votimit me link, ky është një proces i rënë. Pra, atë që kam thënë që në nisje është uzurpimi i PD-së, dhe me këto elementë që kanë dashur t’i bëjmë vetë-vetë, kanë rënë brenda. Njëri pronar sillet si pronar i Shqipërisë, tjetri sillet si pronar i Partisë Demokratike. Edhe një element, nëse keni pyetje, kam informuar të gjithë faktorët ndërkombëtarë, PPE.
Padyshim që më vjen keq për demokratët që kanë një kryetar uzurpator që nuk e uruan as komshinjtë, as partitë popullore, urohet vetëm nga vartësit, por nga ana tjetër më vjen mirë që partitë europiane nuk pranojnë të shkelin standardet dhe nuk ka pasur asnjë urim për uzurpimin e PD-së, ashtu siç ka pasur dëshpërim te demokratët për uzurpimin”, tha ai./et
