Last Updated on 02/06/2026 by EL
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me protestën që po mbahet në Tiranë për çështjen e Zvërnecit. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama ka shfaqur momentin kur protestuesit e shajnë “nga robt”.
Kryeministri ironizon teksa shkruan se, pavarësisht sharjeve, ata janë më të freskët sesa mbeturinat politike që i shkojnë poshtë Kryeministrisë.
Po ashtu, kryeministri ka ftuar protestuesit për bashkëbisedim, edhe pse thekson se “robt e shtëpive tona janë interes privat”.
“Po që kjo imja të mos mbetet thjesht një larje goje në rrjete sociale apo, larg qoftë, të merret si tallje me ju, mblidhuni jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum: ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni”, thekson Rama.
Ndërsa më tej, kreu i qeverisë shton se edhe nëse nuk ulen për bisedë, ai sërish do të jetë në krye të punëve të Shqipërisë.
Postimi i plotë i Ramës:
Çuna
Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet.
Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.
Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?
Po që kjo imja të mos mbetet thjesht një larje goje në rrjete sociale apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum: ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni.
Nëse doni, natyrisht.
Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona:
ju në kor me robt e shtëpisë time, unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europia./ET
