Last Updated on 03/06/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka refuzuar kërkesat e protestuesve për dorëheqje, duke deklaruar se mandati i tij buron nga vullneti i qytetarëve që e kanë votuar dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Rama ironizoi thirrjet për dorëheqje dhe tha se nuk ka interes të dialogojë me persona që, sipas tij, janë të nxitur politikisht.
“Dorëheqjen e kujt? Kam një përgjigje që t’i referoheni këtij filmi të vjetër, sepse nuk ka gjë të re. Unë nuk kam kërkuar të flas me ata që janë të kurdisur dhe të çartur. Dua të flas me ata që kanë votuar për mua”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë theksoi se është i gatshëm të dëgjojë qytetarët që kanë shqetësime reale, përfshirë edhe çështjet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, por jo ata që, sipas tij, përdorin protesta me motive politike.
“Me ata mund të flas, sepse nuk kanë dalë të zhvillojnë episodin e ri të një filmi shumë të vjetër. Dua t’i tregoj të gjithëve se asgjë nuk më lëviz nga istikami ku më kanë vendosur shqiptarët. Unë mishëroj vullnetin e të paktën 800 mijë shqiptarëve dhe kam një kontratë me ta”, deklaroi Rama.
Ai komentoi gjithashtu edhe sloganet dhe veprimet e disa protestuesve, duke i krahasuar me retorikën e ekstremit të djathtë grek.
“Ata që vijnë me librin e shtëpisë sime poshtë zyrës dhe te selia si çakejtë e Agimit të Artë që ulërinin ‘Greqia është e grekëve’, janë subjekt vetëm për Zotin dhe i faltë se s’dinë çfarë bëjnë”, tha kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat kundër projektit të investimit në Zvërnec kanë vijuar për disa ditë me radhë, ndërsa protestuesit kanë ngritur shqetësime për ndikimin e projektit në mjedis dhe kanë kërkuar përgjegjësi politike nga qeveria.
