Kupa e Botës 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, nis më 11 qershor dhe pritet të ofrojë spektakël jo vetëm në fushë me yjet e futbollit, por edhe në pankina me emra të mëdhenj të trajningut.
“Goal.com” ka shkruar të mërkurën se shumë prej përfaqësueseve pjesëmarrëse udhëhiqen nga trajnerë të nivelit më të lartë, me CV të pasura dhe trofe të shumtë.
Në mesin e emrave më të spikatur është Carlo Ancelotti, i cili drejton Brazilin. Ancelotti konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm të epokës moderne, pasi ka udhëhequr klube gjigante si Real Madridi, Milani, PSG-ja dhe Chelsea, ndërsa Ligën e Kampionëve e ka fituar pesë herë.
Ai ka ngritur trofe edhe në disa prej kampionateve më të forta evropiane, duke e bërë Brazilin një nga kombëtaret më të përfolura në prag të turneut.
Po ashtu, në Botërorin 2026 do të jenë të pranishëm edhe trajnerë të tjerë të njohur: Thomas Tuchel me Anglinë, Mauricio Pochettino me SHBA-në, Julian Nagelsmann me Gjermaninë, Didier Deschamps me Francën, Lionel Scaloni me Argjentinën, si dhe Luis de la Fuente me Spanjën.
Lista e trajnerëve me emër përfshin edhe Marcelo Bielsa te Uruguai, Jesse Marsch te Kanadaja, Ronald Koeman te Holanda dhe Roberto Martínez te Belgjika, ndërsa përfaqësuese të ndryshme udhëhiqen edhe nga trajnerë në ngritje si Emerse Faé (Bregu i Fildishtë) dhe Pape Thiaw (Senegal).
Me një përbërje të tillë në bankina, Botërori 2026 pritet të jetë një turne ku taktika, përvoja dhe emrat e mëdhenj të trajnerëve do të kenë po aq peshë sa edhe yjet brenda fushës. /ET


