Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar se indeksimi i pensioneve mund të realizohet në muajt qershor ose korrik, por theksoi se ende nuk është marrë një vendimmarrje përfundimtare.
Gjatë një konference për shtyp, Malaj u shpreh se procesi është në diskutim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe se janë krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për përshpejtimin e tij.
“Po e diskutojmë me ISSH, kemi krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për ta afruar procesin e indeksimit në qershor ose korrik. Është çështje vendimmarrjeje që do ta ndajmë sapo të kemi dakordësinë. Të dhënat më të fundit e Drejtorisë së Tatimeve kanë rritje të faturave me 23%, deri në këtë moment shuma potenciale e kompensimit është 6-6.5 milionë euro. Procesi do të zgjasë deri në fund të muajit qershor”, tha Malaj.
Ai shtoi se projektligji përkatës është shpërndarë te ministritë dhe po kryhen bashkërendimet për ndryshimet e fundit ligjore.
“Projektligji është ndarë me të gjitha ministritë dhe jemi duke bashkërenduar ndryshimet më të fundit. Shpresoj që deri në fund të qershorit ose korrik të kemi mundësinë ta përcjellim në qeveri. Shpenzimet kanë ndjekur trajektore të qëndrueshme. Totali i shpenzimeve buxhetore ka qenë në masën 242 miliardë lekë. Kemi një rritje në masën 6.3% më shumë dhe janë rreth 135 milionë euro më shumë”, deklaroi Malaj.
Sipas ministrit, po ashtu projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave mund të paraqitet në Kuvend në fund të qershorit ose gjatë korrikut./a.d
