Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba raportoi këtë të hënë në Komisionin e Ekonomisë për veprimtarinë e vitit 2025, ku deklaroi se vjet u morën në monitorim 18 sektorë me ndjeshmëri publike dhe ekonomike, dhe janë realizuar 7 procedura hetimore.
1. Tregu i grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve;
2. Tregu i transportit detar ndërkombëtar të udhëtareve në portin e Durrësit dhe të Vlorës;
3. Tregu me pakicë i shërbimeve të komunikimit celular;
4. Tregu i aksesit të shërbimit të internetit në rezidencat e banimit të qarkut të Tiranës;
5. Tregu i sigurimit të jetës për kredi;
6. Tregu i shërbimit spitalor;
7. Tregu i transportit urban në Bashkinë Kamëz.
Për shkeljet e konstatuara vjet janë vënë 4,794,103 lekë gjoba, prej të cilave janë arkëtuar 1,530,000 lekë.
Një nga gjobat e vendosura është edhe për grumbulluesit e produkteve bujqësore, por vlera e ulët e gjobës hasi në kritika nga deputetët e PD me komision. “Ju keni vendosur gjoba deri 0.15% të xhiros për një shkelje flagrante të përsëritur në vite, ndërsa ligji ju lejon deri në 10% të xhiros gjobë”, tha Eno Bozdo Deputet i PD. Kryetari Biba u përgjigj duke thënë se nuk pati mjaftueshëm prova për gjoba të larta pasi edhe fermerët i kishin ndërruar deklarimet e tyre disa herë për grumbulluesit.
“Ajo që u evidentua nga ne edhe nga dëgjesa që bëmë me fermerët, me disa problematika pasi kuptuam që disa fermerë ishin kapur paraprakisht dhe i ndërruan fjalët e tyre, tjetër gjë na kishin thënë kur i takuam në fermë, tjetër gjë ju thanë inspektorëve dhe të tjera thanë përpara Komisionit të Konkurrencës, duke vënë në pikëpyetje edhe hetimin ndër të tjera, dhe kjo ishte një ndër arsyet pse gjoba nuk ishte drastike”, përgjigjet Biba.
Çështja tjetër ku u fokusua debati ishte për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve. Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi sqarime për lejimin e marrëveshjes ndërmjet kompanive të sigurimeve për të shkëmbyer informacione për klientët e tyre.
“Kompanitë e sigurimit e kanë kërkuar këtë marrëveshje që të bien dakord për primet, kostot e mbi të gjitha për fitimin, dhe jam i habitur që nuk del një institucion ta provojë këtë. Ja të shkojmë të gjithë të presim një policë sigurimi po nuk e morëm të gjithë njësoj unë ju kërkoj ndjesë”, tha Braçe.
“Është një marrëveshje për shkëmbim informacioni mes tyre që minimalisht ju tregon historikun e klientelës së tyre”, iu përgjigj Biba. Kryetari i Konkurrencës ngriti si shqetësim në komision mungesën e stafit dhe të buxhetit. “Na kanë ikur së fundmi dy specialistë sepse kanë kaluar në tregun privat me pagë edhe më të lartë se timen. Jemi me numrin më të ulët të punonjësve në institucion, sepse nuk ikën kushdo por më të mirët. Marrim refuzim nga Ministria e Financave për të na miratuar organigramën./mxh
