Last Updated on 22/06/2026 by Kesjana
Për dy netë me radhë, në Leskovik dhe Ersekë është mbajtur Festivali Kombëtar i Sazeve, ku grupe folklorike nga gjithë Shqipëria performuan këngët dhe vallet tradicionale.
Një festival që është kthyer në traditë tanimë e që organizohet për disatin vit radhazi në Kolonjë, synon të mbajë gjallë vlerat kulturore dhe artistike të krahinave të ndryshme.
“Ky është edicioni i 14 i Festivalit Tipologjik Folklorik të Sazeve Popullore. Këtë vit marrin pjesë 12 grupe, marrin pjesë dhe dy grupe të tjera përshëndetëse. Kemi ” Valët e Liqenit “që vjen nga Struga e një grup përshëndetësh nga Kosova. Festivali synon promovimin e trashëgimisë jomateriale dhe promovimin e Sazeve Popullore. Meriton që jo vetëm të ruhet por e trashëgohet në brezat e rinj”, tha Erilda Selaj, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.
Artistët e mirënjohur, të cilët i përkasin skenës së muzikës popullore prej më tepër se 30 vitesh tregojnë se ky festival i bëj një nder të madh sazeve, pasi fokusi kryesor ngelet tek trashëgimi nga një brez tek tjetri
“instrumenti është gjëja më e dashur. Unë luaj lahute, kitarë, buzuk. Nga viti 1976. Që kur me mori Lulushi. Atëherë nisa pasionin. Ka të rinj që po luajnë por nuk luajnë tabanë. Po vazhdojnë dhe riperterijne”
“Unë kam që në rini që u aktivizuam me grupin e Gramshit, kemi marrë pjesë në festivale ballkanike. Në trevat tona kjo ruhet edhe në brezat me të rinj por fatkeqësisht një pjesë e rinisë janë larguar e është fatkeqësi për ne por e kanë ruajtur atje ku janë, në emigrim”
“Ky festival padyshim është kujtesë e thelluar e muzikës dhe artit tonë të trashëguar, e cila shpaloset në këtë skenë që është privilegj i artistëve. Është festival që përveç kultura jonë popullore i ka me shekuj, trashëgohet brez pas brezi”
Përmes tingujve të sazeve, valleve dhe këngëve që mbartin historinë e krahinave shqiptare, Festivali Kombëtar i Sazeve në Kolonjë riktheu edhe një herë vëmendjen te pasuria e trashëgimisë sonë shpirtërore. Një traditë që synon të mos mbetet vetëm kujtim i së shkuarës, por të përcillet te brezat e rinj si identitet, kulturë dhe krenari kombëtare./Kb
