Teherani deklaroi sot se do të vazhdojë të administrojë Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës, ndërsa negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje përfundimtare mbi konfliktin në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë të re.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e cilësoi raundin e fundit të bisedimeve në Zvicër si një “bazë shumë të mirë” për arritjen e një marrëveshjeje, duke theksuar se Uashingtoni ka pezulluar përkohësisht disa sanksione ndaj naftës iraniane. Megjithatë, çështjet më të ndjeshme, si programi bërthamor i Iranit dhe statusi i Ngushticës së Hormuzit, mbeten ende pa zgjidhje.
Sipas medieve shtetërore iraniane, grupet teknike të negociatorëve kanë përfunduar punën fillestare dhe pritet të krijohen grupe të posaçme për të trajtuar çështjet bërthamore dhe sanksionet ekonomike.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar rihapjen e pakushtëzuar të Hormuzit për trafikun detar ndërkombëtar, por Teherani ka refuzuar këtë kërkesë.
Kryenegociatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf deklaroi se “Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet kurrë në kushtet para luftës dhe do të administrohet nga Republika Islamike e Iranit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Ngushtica ishte rihapur javën e kaluar pas një marrëveshjeje paraprake mes SHBA-së dhe Iranit, por Teherani njoftoi të shtunën mbylljen e saj sërish si reagim ndaj sulmeve izraelite në Liban.
Ndërmjetësit nga Katari dhe Pakistani bënë të ditur se palët kanë rënë dakord të krijojnë një kanal komunikimi për të shmangur incidentet dhe keqkuptimet, me synimin për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare në këtë korridor strategjik.
Sipas medieve iraniane, si pjesë e marrëveshjes paraprake, SHBA-ja ka pranuar të lirojë 12 miliardë dollarë fonde iraniane të ngrira dhe të pezullojë përkohësisht disa sanksione ndaj eksporteve të naftës deri më 21 gusht. Megjithatë, Vance deklaroi se asetet iraniane nuk janë zhbllokuar ende dhe se çdo fond i liruar do të përdoret për blerje mallrash, jo për financimin e aktiviteteve terroriste.
Bisedimet, ku Katari dhe Pakistani po luajnë rol ndërmjetësues, synojnë hartimin e një dokumenti përfundimtar brenda një afati prej 60 ditësh, i cili mund të zgjatet nëse nevojitet.
Në të njëjtën kohë, diplomacia po vazhdon në rajon. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian pritet të vizitojë Pakistanin, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio do të zhvillojë një tur në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Bahrein për të diskutuar marrëveshjen dhe garantimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit.
Përparim është raportuar edhe në diskutimet mbi programin bërthamor iranian. Vance tha se Irani mund të lejojë rikthimin e inspektorëve të OKB-së, megjithëse zyrtarët iranianë sqaruan se çështja është diskutuar vetëm në mënyrë të përgjithshme dhe pa hyrë në detaje konkrete.
Një tjetër pikë e rëndësishme e negociatave ka qenë situata në Liban. Sipas palëve ndërmjetësuese, pritet të krijohet një mekanizëm i posaçëm për menaxhimin e konfliktit dhe për forcimin e armëpushimit mes Izraelit dhe lëvizjes Hezbollah, e mbështetur nga Irani. Presidenti libanez Joseph Aoun konfirmoi se ka diskutuar me JD Vance mundësinë e ngritjes së një strukture të tillë për të ndaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës./MXH
