Last Updated on 24/06/2026 by Kesjana
Kinemaja ballkanike zbret sërish në Pogradec. Qyteti liqenor ka hapur dyert për edicionin e 16-të të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, një aktivitet që për disa ditë bashkon artistë, regjisorë dhe producentë nga vendet e rajonit, duke sjellë në ekran histori, kultura dhe realitete të ndryshme të Ballkanit.
Rreth 60 filma nga shtetet e Ballkanit janë pjesë e këtij edicioni, duke konkurruar në disa kategori: filma studentorë, filma të shkurtër, filma të animuar, dokumentarë dhe filma të gjatë artistikë. Për organizatorët, ky festival nuk është vetëm një garë filmash, por mbi të gjitha një hapësirë takimi mes artistëve, ku krijohen ura komunikimi dhe mundësi për bashkëpunime të reja.
Regjisori dhe organizatori i festivalit, Eno Milkani, thotë se çdo vit festivali sjell tema që lidhen me realitetin e rajonit, ndërsa zgjedhja e Pogradecit si vend pritës nuk është e rastësishme.
“Sigurisht sjellin filma të kategorisë që kemi neve. Dihet, film i shkurtër i studentëve, film i shkurtër, film vizatimor, disa dokumentarë dhe filmi i gjatë. Ajo që e bën të veçantë çdo vit janë dy gjëra: janë temat, që gjithmonë janë të përshtatura me gjërat që ndodhin në Ballkan, dhe e dyta është gjithmonë që këtu artistët nga Ballkani të vijnë dhe të takohen me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë eksperiencat, idetë, të njihen dhe ndoshta të bëjnë bashkëpunime të ardhshme”, u shpreh Milkani.
Sipas Milkanit, Pogradeci ka një lidhje të veçantë me frymën e festivalit, pasi historia, kultura dhe pozicioni gjeografik i qytetit përputhen me vetë karakterin ballkanik të këtij aktiviteti.
“Po sigurisht, kjo është ideja sepse Pogradeci është qyteti më adapt dhe ndoshta një nga qytetet më të bukura për ta pritur këtë lloj festivali që i shkon. Është Ballkani që lidhet shumë me Pogradecin. Është një festival që nuk mund ta bësh në Durrës për shembull. Durrësi do të kishte një tjetër lloj fizionomie, ndoshta më ndërkombëtar. Shkodra diçka tjetër. Kurse Pogradecit i shkon shumë kjo simbioza e Ballkanit dhe e lokacionit”, tha ai.
Festivali këtë vit vjen me një program më të përzgjedhur, ku filmat janë më të fokusuar në tematika dhe kategori të ndryshme.
“Prandaj ne kemi zgjedhur Pogradecin dhe gjithmonë ngelet shumë qytet i veçantë. Këtë vit janë më pak filma, por janë si të thuash më të koncentruar. Janë dhe të ndarë në kategori siç e thashë. Nesër kemi filmat studentë, pasnesër janë filmat e shkurtër, filmi vizatimor dhe filmi i gjatë, dhe dokumentarët mbasdite”, shtoi ai.
Organizatorja e festivalit, Gerta Qyrku, shprehet se publiku do të ketë mundësinë të ndjekë produksione nga e gjithë hapësira ballkanike, ndërsa një nga momentet e veçanta të këtij edicioni do t’i kushtohet aktorit të madh shqiptar, Rikard Ljarja.
“Hapet sot edicioni i 16-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në qytetin e bukur të Pogradecit. Garojnë rreth 60 filma nga të gjitha shtetet e Ballkanit. Hyrja, e themi gjithmonë dhe vazhdimisht, është e lirë në kinema. Oraret i gjeni të reklamuara në faqet tona zyrtare, në faqen e Bashkisë dhe në të gjitha hotelet e qytetit janë shpërndarë kartëvizita për turistët që të mund të ndjekin edicionin e 16-të”, tha Qyrku.
Një nga risitë e këtij viti është rikthimi në ekranin e madh i figurës së Rikard Ljarjes, përmes dy veprave të rëndësishme të kinematografisë shqiptare. Filmat e këtij edicioni sjellin jo vetëm histori të reja, por edhe mënyrën se si artistët e Ballkanit kanë reflektuar përmes artit mbi zhvillimet dhe problematikat e kohës.
“Një risi është me mikun e dashur të festivalit, Rikard Ljarja. Do të shfaqim dy filma: filmin ‘Komisari i Dritës’ dhe dokumentarin ‘Rikardi’ të Mevlan Shanajt. Do të kemi të pranishëm Rikardin e dashur në ekranin e madh të Pogradecit. Këtë vit festivali sjell përsëri filma të rinj. Do shohim ngjarje të shteteve të Ballkanit. Besojmë që ndajmë të njëjtën histori, por njëkohësisht do shohim edhe çfarë ka ndodhur dhe si janë frymëzuar artistët gjatë këtij viti me prodhimet e tyre të reja”, u shpreh ajo.
Mes pjesëmarrësve të këtij edicioni janë edhe artistë që e kanë ndjekur këtë aktivitet që prej fillimeve të tij. Artisti nga Kosova, Driton Hajredini, kujton pjesëmarrjen e tij në edicionin e parë dhe lidhjen e pandarë me festivalin e Pogradecit.
“Po, kjo është hera e 16-të që vijmë në këtë festival. Unë isha pjesëmarrës me një film të shkurtër, të titulluar ‘Si qeni në rrush’. Pjesëmarrës në edicionin e parë, Balkan Film Food Festival, dhe shumë rastësisht fitova çmimin e parë për film të shkurtër. Dhe prej atëherë, prej asaj kohe, bashkë me familjen nuk jemi ndarë kurrë nga festivali”, tha Hajredini.
Për aktoren Velina Muçolli, festivali është kthyer në një takim të përvitshëm që nuk mund të mungojë.
“Është viti i 16-të, nuk e kemi ndërmend me u shkëput, po lutemi me pas jetë që me arrit domethënë edhe shumë e shumë vite të tjera. Për neve është festivali më i dashur. Unë e kam lënë edhe puntatën e fundit të serialit, nuk e ndërpres serialin atje për asnjë arsye, përveç për festivalin e Pogradecit. Kënaqësi gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë”, u shpreh Muçolli.
Edhe brezi i ri i artistëve e sheh këtë festival si një mundësi të veçantë për të njohur botën e filmit dhe kulturat e vendeve të rajonit.
“Ky është festivali më i dashur për mua, edhe faleminderit Gitën që na fton në këtë festival. Unë që e vogël kam ardhur në këtë festival edhe më ka pëlqyer shumë. Filmat kanë qenë shumë interesantë, kanë qenë artistikë, me filma dhe gjëra shumë të bukura”, shtoi më tej.
Ajo vlerëson edhe mikpritjen e qytetit liqenor dhe atmosferën që krijohet gjatë ditëve të festivalit.
“Edhe njëherë e falënderoj Gitën dhe qytetin e Pogradecit, që ne e duam shumë, shumë, shumë. Është shumë i bukur. Edhe njerëzit janë njerëz më mikpritës nga të gjitha trojet shqiptare. Edhe është shumë mirë”, tha ajo.
Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë vijon aktivitetet në Pogradec, duke e kthyer për disa ditë qytetin në një skenë ku takohen kinemaja, kultura dhe traditat e vendeve të Ballkanit. /kb
